Drejtoritë vendore të Policisë urdhërohen të nisin zbatimin në terren, zbulohen porositë

Në prag të nisjes së sezonit të kultivimit të kanabisit, Policia e Shtetit ka hartuar një plan operacional me qëllim parandalimin e këtij fenomeni. Kontrollet janë urdhëruar të kryhen në ambientet të mbyllura dhe të hapura, konkretisht në sera, magazina dhe objekte, ish-objekte ushtarake, banesa të braktisura, stane apo stalla bagëtish.

Një prej udhëzimeve është dhe kontrolli i gjitha vendeve të cilësuara me risk, apo vendet ku vitet e kaluara është tentuar të kultivohet kanabis, si dhe të bashkëpunohet me OSHEE-në apo drejtoritë e ujësjellës kanalizime.

Për realizimin e planit operacionale në rang kombëtar janë të angazhuar të kryejnë veprime mbi 1800 efektivë policie të drejtorive vendore dhe të kufirit, të ndarë në rreth 400 grupe kontrolli. Në dispozicion të tyre janë vënë kamera, dylbi, dronë, rreth 300 automjete policie si dhe mjete lundruese.

“Pjesë e planit operacional kundër kultivimit të kanabisit pritet të bëhet edhe Guardia di Finanza. Ashtu si vitet  e shkuara, do të ketë një monitorim ajror të të gjithë Republikës së Shqipërisë.”

Vëzhgimi nga ajri i policisë italiane, është planifikuar të nisë në muajin maj. Një prej porosive me rëndësi është zbulimi i vendeve ku mbillen farat në kubikë. Në fshatin Luarz në Velipojë, u sekuestruan mbi 37 mijë kubikë me fara dhe fidanë kanabisi. Policia e Shkodrës sekuestroi një automjetet dhe një traktor si dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale. Përgjegjës për kubikët dhe farat e kanabisit dyshohen dy persona, njëri prej të cilëve ra në pranga ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, teksa përgëzoi policinë e Shkodrës, i kërkoi uniformave blu të intensifikojnë veprimet parandaluese që në momentet e para të tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Klan News