Procedohen drejtorët e tatimeve për shpërdorim detyre

3500 metra katrorë hapësirë publike që ishte zaptuar nga bizneset private në plazhin e Durrësit dhe Lezhës janë liruar nga policia. Për këtë janë proceduar penalisht 10 persona, për veprat penale fshehja e të ardhurave, zënia e hapësirave publike dhe shpërdorim detyre.

Mes të proceduarve janë edhe drejtorët e tatimeve dhe taksave në Bashkitë e Durrësit dhe Lezhës pasi nuk kanë ushtruar kontrolle në biznese duke shpërdoruar detyrën.

Blutë e Lezhës kanë liruar hapësirat publike në plazhin e Shëngjinit dhe të Tales. Në të njëjtën kohë janë proceduar penalisht dy pronarë të bizneseve që kishin vendosur shezlonë në plazhe publike si dhe nuk lëshonin kupon tatimor.

Operacioni “Plazhi i lirë” u shtri edhe në plazhin publik në Durrës në lagjen 13. Policia liroi disa hapësira të zëna në mënyrë të jashtëligjshme duke proceduar penalisht edhe 6 persona.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme. Pak ditë më parë policia liroi disa hapësira të plazheve publike në Sarandë dhe Lezhë.

Tv Klan