Pompeo: SHBA gati të furnizojë Bjellorusinë me naftë e gaz



Pompeo: SHBA gati të furnizojë Bjellorusinë me naftë e gaz

20:49 01/02/2020

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo zhvilloi një vizitë në Bjellorusi në një përpjekje për të normalizuar lidhjet me këtë vend, në një kohë kur marrëdhëniet mes Minskut dhe aleatit të saj tradicional Rusisë, janë të tendosura.

Pompeo tha të shtunën se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i sigurojnë Bjellorusisë të gjithë sasinë e nevojshme të naftës dhe gazit, gjë që shihet si një “shuplakë” për Rusinë që kohët e fundit ka ndërprerë furnizimin për këtë vend.

Pompeo është Sekretari i parë i Shtetit që viziton Bjellorusinë në 26 vjet. Vizita e tij në Minsk vjen në një kohë tensionesh të reja mes Minskut dhe Moskës lidhur me energjinë. Në një takim me Presidentin autoritar Aleksandër Lukashenko, Pompeo tha se SHBA shpreson ta ndihmojë Bjellorusinë në garantimin e një mundësie për të arritur “sovranitetin” dhe “pavarësinë” që kërkon.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë qenë kritikë të shpeshtë të sundimit autoritar dhe respektimit të të drejtave të njeriut në Bjellorusi, ku Presidenti Aleksandër Lukashenko ka qenë në pushtet prej vitit 1994. Por fuqitë perëndimore i kanë hequr shumicën e sanksioneve ndaj Bjellorusisë pasi Lukashenko liroi të burgosur politikë dhe tregoi më shumë toleranca ndaj kundërshtarëve politikë.

Lidhjet u përmirësuan pas aneksimit nga Rusia më 2014 të gadishullit të Krimesë që Bjellorusia nuk pranoi ta njohë. Bjellorusia dhe Shtetet e Bashkuara planifikojnë të rikthejnë ambasadorët në vendet përkatëse pas një ndërprerje 10-vjeçare.

Uashingtoni do të emërojë një ambasador të ri në Minsk së shpejti, tha Pompeo, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të nxisin për reforma në fushën e të drejtave të njeriut si dhe lidhje të ngushta ekonomike. /VOA



Të ngjashme