Presidenti Ilir Meta dhe Kryeministri Edi Rama reaguan për shpërthimin e fuqishëm të ndodhur këtë të martë në Bejrut të Libanit, nga i cili numërohen me dhjetëra viktima e mijëra të plagosur.

“Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave dhe të lënduarit nga shpërthimi tragjik në Bejrut! Solidarizim me popullin e Libanit”, shkruajti kreu i shtetit shqiptar në një postim në rrjetet sociale.

Edhe Kryeministri Edi Rama reagoi në një postim në Twitter.

“Çfarë lëndimi e trishtimi! Vdekje, plagosje, shkatërrim që le pa frymë e pa fjalë!Ngushëllime e solidaritet me popullin e Libanit”, shkruajti Kryeministri Rama.

Të paktën 50 persona kanë mbetur të vrarë dhe rreth 2700 të tjerë të plagosur në shpërthimin që tronditi këtë të martë Libanin. Numri pritet të rritet nga momenti në moment.

Shkaqet e shpërthimit që ndodhi në zonën e portit, mbeten ende të paqarta. Ministri i Brendshëm libanez, Mohammed Fehmi tha se ai mund të ketë ardhur si pasojë e disa materialeve eksplozive që ndodheshin të magazinuara në portin e Bejrutit.

Shumë prej liderëve botërorë kanë reaguar për ngjarjen e rëndë dhe kanë ofruar ndihmën e tyre në përballimin e kësaj situate./tvklan.al