“Të hënën kallëzohet në SPAK, në këtë Ministri vepron një grup i strukturuar kriminal”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka kërkuar në formë ultimative dorëheqjen ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Kreu i shtetit tha se dorëheqjen duhet ta paraqesë brenda të hënës, ditë kur ai do ta kallëzojë atë në SPAK për disa vepra penale, në lidhje me procedurat për botimin në Fletoren Zyrtare të emrit të Arta Vorpsit, si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

“Rezulton të jetë përfshirë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj por dhe funksionarë të lartë të këtij institucioni për llogari të skenarit mafioz të kapjes së Gjykatës Kushtetuese duke përvetuar një kompetencë që Kushtetuta ja jep Presidentit. Ministrja e Drejtësisë ka shkelur ligjin nr.74/2014 si dhe ligjin 115/2016. Sipas Kushtetutës, vendimin e KED nuk botohen as në Fletoren Zyrtare por publikohen vetëm në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë në pjesën e dedikuar për KED. Ndërkohë që ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë të drejtë që të dërgojë për botim në Fletoren Zyrtare aktet e KED. Për këto arsye dhe prova të tjera që po sigurohen, brenda ditës së hënë do të depozitoj pranë Prokurorisë së Posaçme kallëzimin penal për ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj dhe jo vetëm. Duke qenë se ministrja e ka humbur besimin e Presidentit, do të mirëprisja brenda ditës së hënë dorëheqjen e saj dhe përballjen me drejtësinë si një ish-ministre”.

Presidenti tha se në Ministrinë e Drejtësisë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, si pjesë e tentativës së mazhorancës për të kapur Gjykatën Kushtetuese.

Kreu i shtetit tha se nëse dekretet e Presidentit nuk respektohen nga mazhoranca, do të jetë populli ai që do t’i respektojë, për t’i dhënë fund grushtit të shtetit që sipas tij ka organizuar shumica për të uzurpuar të gjitha pushtetet.

Tv Klan