Për ngjarjen tragjike të ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në Letoni, ku humbi jetën një efektive e FA dhe mbetën të plagosur dy të tjerë, reagoi edhe Presidenti Ilir Meta.

Në një deklaratë të shpërndarë nga zyra për shtyp e kreut të shtetit thuhet se 

“Presidenti i Republikës, Ilir Meta me hidhërim të thellë është informuar për ngjarjen tragjike të ndodhur me kontigjentin e Forcave të Armatosura, në kuadër të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive në Letoni, ku ka humbur jetën në krye të detyrës Nëntetare Zarife Hasanaj, si dhe kanë mbetur të plagosur Komandanti i Kontingjentit, Major Klodian Tanushi, si dhe dhe Rreshteri Julian Kapaj”.

Presidenti i shpreh ngushëllimet më të thella familjes se Nëntetares Zarife Hasanaj, si dhe pjesëtarëve të kontingjentit të FA në Letoni. Më tej në deklaratë thuhet gjithashtu se kreu i shteit po ndjek me shqetësim gjendjen e efektivëve të plagosur dhe u shpreh urimet për shërim sa më të shpejtë Major Klodian Tanushi dhe Rreshterit Julian Kapaj.

Nëntetarja Zarife Hasanaj ishte pjesë e një kontigjenti në kuadër të misionit të NATO-s “Enhanced Forward Presence”. Një grup i kontigjentit të asgjesimit të municioneve dhe lëndëve eksplozive gjatë kryerjes së detyrës mbetën të dëmtuar nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura. Efektivja mbeti fillimisht e plagosur sëbashku me Komandantin e Kontigjentit, Major Klodian Tanushin dhe Rreshterin Julian Kapaj. Fatkeqësisht, Hasanaj nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra.

/tvklan.al