Japonia është në mes të një vale të katërt të koronavirusit, por presidentja e Tokio 2020, Seiko Hashimoto këmbëngul se Lojërat Olimpike do të mbahen me 100%. Një pjesë e popullit kërkon që eventi të anulohet, ku nuk kanë munguar edhe protestat.

Deri më tani 10 zona, përfshirë edhe kryeqyteti Tokio janë në një gjendje emergjence deri në përfundim të këtij muaji. Kur eventi të nisë, pritet që të marrin pjesë deri në 90 mijë sportistë, trajnerë, gazetarë dhe zyrtarë nga shtetet e tjera.

“Mundësitë që këto lojëra të mbahen janë 100%. Pyetja tani është se: si ne të kemi lojëra më të sigurta. Qytetarët japonezë ndihen edhe më të pasigurt dhe njëkohësisht në stres, kur flasim për Tokio 2020 dhe kjo shton zërat kundër, për mbajtjen e tyre. Sfida më e madhe është se si ne do të kontrollojmë grupet e njerëzve. Nëse ka një tjetër shpërthim gjatë eventit, duhet të përgatitemi t’i zhvillojmë pa spektatorë”.

Komentet e Hashimotos vijnë një ditë pasi specialisti kryesor për mjekësinë në vend shfaqi qëndrimin kundër zhvillimit të lojërave olimpike. Rreth 10,000 nga 80,000 vullnetarë për të ndihmuar në zhvillimin e eventit, anuluan pjesëmarrjen e tyre nga frika.

Klan News