Në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë u prezantua projekti i kampusit sportiv të Akademisë së Futbollit të Manchester City në Durrës. Arkitekti Marco Casamonti, ia ka dhuruar Shqipërisë këtë projekt, mbi të cilin është ndërtuar edhe akademia e Fiorentinës në Itali. Kryeministri Rama, është iniciatori i kësaj nisme që ka si objektiv rritjen e talenteve të futbollit në vend, por edhe më gjerë në Ballkan dhe rajon.

“Është një projekt kompleks që nuk bëhet dot vetëm. Kryesorja në këtyë pikë është që federata ta promovojë këtë projekt. Ne duam që të mblidhet ajka e talentit që ka ky vend”, tha Rama.

Federata është gjithnjë mbështetëse e projekteve për futbollin veçanërisht për zhvillimin e të rinjve. Edhe në këtë rast nuk do të mungojë prania e saj në akademinë e futbollit të Manchester City.

“Jam shumë i sigurtë që ky do jetë një projekt i suksesshëm jo vetëm për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë. Federata e Durrësit e ka në prioritetet e saj mbështetjen e futbollit të fëmijëve dhe bën gjithçka për ta bërë atë sa më atraktiv, sa më të suksesshëm e mbështet atë me bazë materiale me investime”, tha Armand Duka

Akademia e futbollit të Manchester City në Durrës, me tetë fusha sportive me bar natyral dhe një pjesë me bar artificial, një prej tyre ministastadium, pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë edhe në të gjithë zonën. Projekti ka marrë miratimin e City Group dhe për ndërtimin do të përdoren materiale natyrale si dhe panele diellore për energjinë elektrike.

Ndërtimi pritet të nisë shumë shpejt dhe arkitekti Casamonti premton se brenda 1 viti do të ketë përfunduar pjesa më e madhe e punës.

Tv Klan