Marrëveshja firmoset në Berlin

Serbia dhe Kosova pritet të jenë të lidhura me linjë avioni pas më shumë se dy dekadash. Ky lajm që erdhi nga Berlini, pas ndërmjetësimit të ambasadorit gjerman, Richard Grenel, është pritur mirë edhe në Serbi. Kompania operuese do të jetë Lufthansa gjermane dhe jo AirSerbia.

Një marrëveshje mbi qëllimet është konfirmuar edhe nga Ministria e Ekonomisë, e cila ka firmosur marrëveshjen. Këtë hap e kanë përshëndetur zyrtarët amerikanë, shumë ambasadorë dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-së.

Ministrja e Transportit në qeverinë serbe, Zorana Mihajlloviç, ka thënë se rivendosja e linjës është një gjë pozitive. Ministria është duke punuar që të krijoj kushtet administrative dhe pas një marrëveshje kjo mund të realizohet.

“Sigurisht që përmes një marrëveshje që do të bëhej me UNMIK-un do të rregullohej në momentin kur të piqen kushtet për këtë. Është mirë që jemi duke biseduar edhe me kompani të caktuara që këto fluturime të ekzistojnë. Është duke u punuar prej kohësh dhe kjo nuk është e re është krijimi i kushteve administrative”.

Por nga zyra për Kosovën është bërë e ditur që kjo linjë mund të përjetësohet në momentin kur të hiqet taksa nga qeveria e Kosovës. Linja ajrore në mes të dyja vendeve ka qenë e bllokuar pasi kjo hapësirë kontrollohet nga disa rregullatorë të huaj dhe avionët evitojnë fluturimin direkt apo tranzit nëpër këto linja ajrore.

Tv Klan