Alpet shqiptare tashmë janë pjesë e një masterplani, që u prezantua gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Territorit në qytetin e Shkodrës. Përmes tij synohet zhvillimi i qëndrueshëm social dhe ekonomik i këtij rajoni për vitet në vazhdim. Qëllimi kryesor është që alpet të hynë në një cikël të ri të zhvillimit të turizmit dhe shfrytëzimit të resurseve natyrore të kësaj zone, siç është edhe qendra e Thethit, e cila u shpall qendër historike në mbledhjen e qeverisë një ditë më parë në Shkodër.

Qeveria ka menduar që katër të jenë prioritet kryesore të zhvillimit të turizmit në këtë zonë, që shihet dhe si prioritet kryesor, ai malor, kulinar, kulturor dhe agrar. 980 milion euro janë parashikuar përfitimet që do të përftohen nga zhvillimi i këtij sektori në këtë zonë. Një vend jo pak të rëndësishëm zë edhe industria e peshkimit dhe energjetika në këtë masterplan për një zhvillim social dhe ekonomik për banorët e zonës.

Në funksion të turizmit është menduar të investohet në drejtim të infrastrukturës, ku përparësi do të kenë disa akse rrugore, mes të cilave dhe ai Shkodër -Velipojë, Velipojë – Shëngjin, hapja e pikës kufitare Pulaj-Shënkoll dhe kthimi i Bunës në një lumë të lundrueshëm. Pjesë e investimeve të rilindjes Urbane janë edhe rruga Fushë Arrëz Rresp, rikonstruksoni i sheshit të qytetit të Pukës dhe parkut, ndërtimi i rrugës 17 km Qafë Thore – Theth, si dhe rikualifikimi urban i dy qendrave asaj Theth dhe Vermosh.

1.4 miliardë lekë janë parashikuar të shkojnë për shërbimet publike në masterplanin 2018-2022, pjesë e të cilit është edhe ndërtimi i 40 qendrave shëndetësore në qarkun e Shkodrës.

Tv Klan