Prokuroria e Krujës thotë se do të ankimojë vendimin për lirimin e Endrit Dokles, ish-anëtarit të bandës së Durrësit.

Në një njoftim dërguar mediave, Prokuroria thotë se do të kërkojë gjithashtu përjashtimin e gjyqtares që dha vendimin për lirimin e Dokles.

“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë ka qenë pjesmarrëse në këtë proces dhe ka mbajtur qëndrimin e plotë për rrëzimin e kërkesës, me arsyetimin se jo vetëm se nuk plotësohen kushtet ligjore të parashikuara nga neni 64 i Kodit Penal, por edhe se nuk ekzistojnë të provuara arsyet e veçanta që kërkon norma. Gjithashtu Prokuroria ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares së çëshjtes me arsyetimin se i njëjti trup gjykues ka dhënë vendime në favor të kërkuesit, kërkesë e cila nuk është pranuar nga gjykata. Të gjitha kundërshtimet në lidhje me shkeljet procedurale si dhe zbatim të gabuar të ligjit Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë do ti parashtrojë në ankim brenda afatit ligjor”, thotë Prokuroria e Krujës.

Në reagimin mediatik, Prokuroria e Krujës jep edhe detaje të lirimit të ish-anëtarit të bandës së Durrësit.

“Pranimin e kërkesës së kërkuesit Endrit Dokle. Lirimin me kusht të kërkuesit Endrit Dokle, i biri i Mensurit dhe i Rahimes datëlindja 31.12.1983, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, duke e vënë në provë për një periudhë  prej 5 (pesë)  vjetësh. Në zbatim të nenit 60 pika 9 të Kodit Penal detyrohet Endrit Dokle që gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorë të veprës penale. Në zbatim të nenit 60 pika 10 e Kodit Penal detyrohet kërkuesi Endrit Dokle që gjatë periudhës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë. Urdhërohet kërkuesi Endrit Dokle të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës”, thotë Prokuroria. /tvklan.al