Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në një qëndrim zyrtar para protestës së opozitës mbrëmjen e kësaj të shtune, duke shprehur bindjen se tubimet paqësore e demokratike janë një e drejtë fondamentale e demokracisë, legjitime e kushtetuese thekson rëndësinë që ajo të jetë tërësisht paqësore.

Si President i Republikës, Meta thotë se ka qenë dhe është i bindur se është më mirë që shqiptarët të protestojnë për të drejtat e tyre dhe të kërkojnë një Shqipëri më të mirë dhe gjithëpërfshirëse, se sa të largohen nga vendi.

Megjithatë, Presidenti thekson se në protestat e mëparshme, pavarësisht nga përkrahja qytetare, janë vërejtur disa akte dhune të papranueshme, ndaj i kujton opozitës se “drejtësia e kauzës tuaj, nuk duhet të cënohet nga veprime të papërmbajtura të individëve të caktuar”.

“Është përgjegjësi e udhëheqësve të Opozitës së Bashkuar për mbarëvajtjen e protestave ku ata ftojnë qytetarët të marrin pjesë. Vetëm në këtë mënyrë, kauza juaj për një demokraci të vërtetë, që garanton një bashkëjetesë të gjerë qytetare, legjitimitet e funksionalitet të institucioneve, do të dëgjohet më mirë brenda dhe jashtë vendit”, thotë Presidenti në reagimin e tij.

“Protestat e vazhdueshme të opozitës kanë pasur vëmendjen dhe janë transmetuar nga mediat më të njohura botërore, por imazhet tërësisht paqësore të protestës suaj do t’i shërbejnë më mirë të ardhmes europiane të Shqipërisë”, shton ai më tej./tvklan.al