Pa kaluar një javë nga dakordësia që riktheu normalitetin mes palëve politike, demokratët dhe socialistët i kanë tashmë gati emrat e anëtarëve për grupin e punës për reformat si dhe dy komisionet hetimore.

Pas mbledhjes së grupit Gazment Bardhi sqaroi se dera i është lënë e hapur mbështetësve të Lulzim Bashës, por jo këtij të fundit.

“Nuk i kemi lënë një vend Lulzim Bashës. Propozimi i grupit parlamentar të PD është si më poshtë. Oerd Bylykbashi, Erisa Xhixho dhe vendi i tretë i është dedikuar kolegëve brenda grupit parlamentar që ndajnë një mendim ndryshe mbi zhvillimet në PD”, tha ai.

Sakaq edhe socialistët i kanë gati emrat e dy prej anëtarëve të këtij grupi pune pjesë e të cilit do jenë Damian Gjiknuri dhe Klotilda Bushka.

Komisioni Hetimor për TIMS-in nga demokratët do kryesohet nga Ervin Salianji, ndërsa socialistët kanë vendosur që nënkryetar të jetë Plarent Ndreca.

Albana Vokshi do të drejtojë Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi, ndërsa nënkryetar do jetë socialisti Toni Gogu.

Por në të parën dalje nga salla ku çdo të premte ulej Sali Berisha, kreu i grupit të demokratëve hodhi poshtë akuzat e Lulzim Bashës se kjo marrëveshje është pazar me Edi Ramën.

“Janë bërë në transparencë të plotë. Nuk jemi mbyllur në zyra teke ne në Kuvendin e Shqipërisë për të bërë bisedime”, tha Bardhi.

Madje këtë të fundit e bëri përgjegjës edhe për zvarritjen e reformës zgjedhore.

“As ta bindin Edi Ramën, as t’i imponohen Edi Ramës, as ta çojnë deri në fund përgjegjësinë që i kishte ngarkuar grupi për të realizuar reformën zgjedhore. Deshën të flinin muaj 22 muaj”, tha ai.

Ish-kryetarin e partisë së tij e ftoi të reflektojë teksa ironizoi edhe tryezën e thirrur nga ky i fundit.

“Pashë një shigjetë teke dhe disa bishta”, u shpreh ai.

I pyetur në lidhje me projektin e dhëndrit të ish-Presidentit Trump në Sazan, Bardhi dha këtë përgjigje.

“Në parim mbështesim çdo investim të huaj, por çdo investim i huaj do duhet të miratohet në transparencë të plotë, në përputhje me ligjin, në një garë të hapur”, u shpreh ai.

Sa për Amnistinë Penale, Bardhi nuk përjashtoi votën pro, por ritheksoi se PD është kundër faljes së zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tv Klan