Financimi i linjave të gjelbra të autobusëve në kryeqytet nga KFW-ja përplasi në Kuvend mazhorancën dhe opozitën, teksa kjo e fundit deklaroi votën kundër në parlament, me argumentin se paratë e taksapaguesve edhe për këtë marrëveshje do të vidhen sikundër në rastin e dosjes 5D nga Bashkia e Tiranës.

Socialistët nxituan t’u kujtojnë demokratëve se prezumimi pafajësisë deri në përfundim të hetimeve është e drejtë e cilitdo.

Marrëveshja e huasë me KFW në vlerën e 50 mln eurove është vetëm një pjesë e shumës prej 110 mln euro që kushton i gjithë projekti për futjen e autobusëve elektrikë në linjën e autobusëve të Unazës, Kombinat-Kinostudio dhe Tiranës së re. Pjesa tjetër financohet nga vetë Bashkia dhe fondet e Bashkimit Europian.

Më herët në parlament, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, në interpelancën me Enkelejd Alibeajn foli me shifra për të gjithë përfituesit e aministisë, që kanë lënë qelitë e burgut që ditën e parë që ligji hyri në fuqi, por dhe për ata që po vazhdojnë të përfitojnë prej saj për shkake të uljes së dënimit.

Ministri pranoi se nga ligji që u votua pas bashkimit të votave të socialistëve dhe demokratëve të rithemelimit përfituan dhe 18 të dënuar nga Gjykata e Posaçme antikorrupsion, 10 prej të cilëve për vepra që s’kishin lidhje me korrupsionin, ndërsa 8 të tjerët me emra, rast pas rasti, Manja shpjegoi përse përfituan. Për Alibeajn, Ministri i Drejtësisë pranoi atë për të cilën grupimi ku ai bën pjesë kishin përsëritur se do të ndodhte, që amnistia sipas tij po bëhej për të liruar të korruptuarit e pushtetit.

Tv Klan