Pse nuk mund të futet një film shqiptar në Netflix?Berisha: Për ta jemi një treg i parëndësishëm



Pse nuk mund të futet një film shqiptar në Netflix?Berisha: Për ta jemi një treg i parëndësishëm

13:22 05/03/2021

Në studion e “Historia ime” në Tv Klan ka qenë i ftuar një çift artistësh shumë simpatikë. Ata janë partnerë në marrëdhënien e tyre personale por edhe në atë profesionale. I kanë kushtuar jetën e tyre njëri-tjetrit dhe artit, kryesisht kinematografisë. Janë shqiptarë të Kosovës por prej disa javësh ndodhen në Tiranë për të xhiruar një serial të ri kinematografik.

Të dy së bashku kanë dhënë një kontribut të madh në njohjen ndërkombëtare të kinematografisë së Kosovës. Bëhet fjalë për Vjosa dhe Fatos Berisha të cilët kanë rrëfyer gjatë emisionit më gjatë për jetën e tyre private dhe profesionale. I pyetur nga moderatorja Mirela Milori se pse një film shqiptar nuk bëhet dot pjesë e Netflix, Fatosi shprehet se ne ende jemi një treg i vogël dhe i pa rëndësishëm për atë platformë.

Mirela Milori: Flas si një konsumatore filmi, në një platformë si Netflix kanë hyrë edhe filma turk, kaq e vështirë është të hyjë dhe një film shqiptar dhe çfarë procedurash ka? Filmat tanë janë shumë të mirë dhe kanë kualitet, kur shohim disa filma në Netflix është gjynah që s’kemi.

Fatos Berisha: Nuk është e lehtë të futesh dhe ka disa arsye. E para është kinematografia jonë është një treg shumë i vogël. Për ta ndoshta jemi një treg i pa rëndësishëm. Kinematografia artistike turke është shumë e mirë. Është një treg i madh i njerëzve turkfolës jo vetëm në Republikën e Turqisë por gjithandej. Janë edhe buxhetet e mëdha. Unë jam i bindur që do ketë edhe filma në gjuhën shqipe sepse ne po i kalojmë disa provime sepse filmat tonë po shfaqen ndërkombëtarisht nëpër festivale. Marrin shumë çmime, jo vetëm filmi jonë, por edhe filma të tjerë kanë marrë çmime më të mëdha dhe kjo tregon që kualiteti nuk është në pyetje.  /tvklan.al







Të ngjashme