Nga Gjermania në Portugali, politikanët po i bashkohen TikTok-ut, të kujdesshëm për t’i mos lënë terren partive ekstreme që kanë qenë shumë të suksesshme në përdorimin e  kësaj platforme në Tërheqjen e votuesve të rinj.

Simon Harris, lideri 37-vjeçar iu bashku TikTokut në Mars 2021, duke prodhuar video që varionin nga një përmbledhje 60 sekondash e buxhetit, deri tek videot e tij duke pirë një filxhan çaj.

Një tjetër figurë e rëndësishme politike  që iu bashkua TikTok gjatë pandemisë në 2020 ishte presidenti Emmanuel Macron i cili krenohet me 4 milionë ndjekës. Të tjerë politikanë tani po ndjekin këtë shembull.

“Revolucioni në TikTok: fillon sot”, tha Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë Karl Lauterbach, teksa u bë ministri i parë i vendit të tij që hapi një llogari në Mars.

Duke shpjeguar vendimin e tij, Lauterbach thotë se politikanët nuk mund t’ia linin mediat sociale AfD-së, partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë që është bërë e dyta më e popullarizuara në Gjermani.

Analisti i mediave dixhitale Johannes Hillje shpjegon për Reuters më shumë rreth këtij trendi të ri.

“Në Gjermani ka një forcë dominuese në TikTok, e cila është AfD, partia populiste e krahut të djathtë. Kështu që të gjitha partitë e tjera demokratike janë në një lloj paniku për momentin për të mos ia lënë këtë platformë të rëndësishme dhe votuesit e rinj kësaj partie radikale. Kjo është arsyeja pse shumë politikanë, gjithashtu si edhe ministra si Karl Lauterbach po i drejtohen tani TikTok dhe po përpiqen të arrijnë dhe të bindin të rinjtë me mesazhet e tyre duke hapur njw llogari tw tyre”, tha ai.

Arritja e votuesve të rinj ka qenë shumë e rëndësishme këtë vit pasi 16-vjeçarët do të jenë në gjendje të japin votën e tyre në zgjedhjet evropiane.

Johannes Hillje: Në Evropë për herë të parë të rinjtë nën 18 vjeç, pra ata që janë 16 dhe 17 vjeç kanë të drejtë të votojnë. Kjo është arsyeja pse TikTok bëhet një platformë kryesore, një platformë kryesore për të arritur një votues të ri sepse ata përdorin TikTok. Rreth dy të tretat e të rinjve midis 14 dhe 19 vjeç përdorin TikTok në Gjermani, kështu që do të bëhet një instrument i rëndësishëm për t’u përdorur për votuesit dhe për të luftuar për vota në këto zgjedhje në Evropë.

Kancelari gjerman Olaf Scholz në Shkurt mbështeti gjithashtu një lëvizje të qeverisë për të hapur një llogari në TikTok. Vetëm Bashkimi Evropian ka 142 milionë përdorues TikTok, 20 milionë prej të cilëve janë në Gjermani.

Nga ana e saj, AfD poston video në një llogari me 24,000 ndjekës. Kandidati kryesor i AfD-së në zgjedhjet e ardhshme në BE, Maximilian Krah, ka 41,000 ndjekës.

Në një video, ai inkurajon dhe shihet duke dhënë këshilla për takime të rinjve që duan të dashura, duke u thënë atyre të mos shikojnë porno ose të votojnë për të Gjelbrit: Burrat e vërtetë janë të krahut të djathtë, burrat e vërtetë kanë ideale dhe janë patriotë, nëse i keni këto atwherë kjo do të funksionojë edhe me një vajzë.

Qeveritë perëndimore janë në një dilemë, thotë Hillje ta përdorin ose jo atë duke qenë se platforma është akuzuar për mungesën e sigurisë. Politikanët si Lauterbach vijojnë të kenë dyshime për platformën, por ende e përdorin atë.

Johannes Hillje: Pra, në një botë ideale ndoshta politikanët gjermanë nuk do të dëshironin të përdornin TikTok, por duke qenë se kaq shumë të rinj po e përdorin atë në Gjermani, vendimi është i drejtë, mendoj se duhet të jenë   prezentë dhe ta përdorin atë përndryshe të rinjtë  do të marrin vetëm përmbajtje politike nga forcat ekstremiste.

Sipas analizës së Hillje, AfD është partia dominuese gjermane në TikTok.

Johannes Hillje: AfD ishte partia e parë që përdori sistematikisht dhe strategjikisht TikTok dhe për këtë arsye kanë fituar një avantazh konkurrues ndaj të gjitha partive të tjera në platformë. Për sa i përket përmbajtjes ata punojnë fuqishëm me mesazhe emocionale, madje edhe polarizuese. Dhe ata arrijnë të tërheqin të rinjtë me një temë që është padyshim e rëndësishme për ta. Sepse është shumë e rëndësishme me TikTok që të lidhni grupin e synuar me ju, të lidhni audiencën me ju, në momentet e para të fillimit të videos. Dhe AfD e arrin këtë duke trajtuar vazhdimisht tema që kanë të bëjnë me të rinjtë. Dhe gjatë videos, ata shpesh kalojnë nga një nivel personal në një nivel politik. Pra, brenda adresës personale ata gjithmonë përfshijnë mesazhin politik.

Në mesin e 10 politikanëve më të mirë gjermanë të zgjedhur në Parlamentin Evropian që gjeneruan më shumë ndërveprime në Facebook gjatë ciklit aktual zgjedhor, shtatë i përkisnin AfD-së, sipas një analize të 771 faqeve në Facebook.

Kur bëhet fjalë për sa para shpenzohen për reklamat politike në Facebook, vetëm tre anëtarë të AfD-së janë në mesin e 10 eurodeputetëve gjermanë me shpenzimet më të larta.

Por ccfarë mendojnë vetë të rinjtë për përpjekjet e politikanëve për të shkuar tek te përmes mesazheve të tyre?

Felicia Reimann: Mendoj se në fakt është mjaft mirë. Mendoj se shumë të rinj përdorin mediat sociale, si TikTok, Instagram etj. Dhe nëse dëgjoni pak për politikën atje, atëherë ndoshta ky është një kanal i lehtë për t’u afruar tek të rinjtë.

Megjithatë, Felicia Reimann, një 16-vjeçare që vizitoi ndërtesën historike të Reichstag-ut të Berlinit thotë se  vetë ajo i beson kanaleve tradicionale të medias kur dëshiron të dëgjojë lajme mbi politikën.

Felicia Reimann: Sigurisht që dëgjon të gjitha llojet e gjërave dhe është interesante të shohësh se çfarë mendojnë njerëzit e tjerë për gjëra të ndryshme, veçanërisht sepse në Instagram, TikTok, platforma të tjera të mediave sociale njerëzit ndonjëherë shprehin mendimet e tyre në një mënyrë shumë ekstreme. Dhe unë mendoj se kjo është në të vërtetë mjaft interesante për t’u parë. Por nëse me të vërtetë dua të shikoj lajme ose diçka të tillë, atëherë do të preferoja t’i shikoja lajmet në TV ose të lexoja gazetën.

Edhe të rinj të tjerë vlerësojnë përpjekjet e partive gjermane për të tërhequr votuesit e rinj duke përdorur TikTokun.

Daria Langenstroeer: Unë mendoj se është në të vërtetë mjaft mirë që të rinjtë tani po përfshihen gjithnjë e më shumë. Dhe mendoj se pothuajse të gjithë ne përdorim Instagram, TikTok. Dhe mendoj se është në të vërtetë mjaft pozitive që njerëzit po përpiqen ta përdorin atë për të promovuar partinë e tyre  pak më shumë.

Philipp Freund: Unë mendoj se  në të ardhmen kjo mënyrë do të dëshmojë se ia vlen. Mendoj se  një parti  që do të jetë më aktive në mediat sociale në vitet e ardhshme ndoshta do të nxjerrë përfundime pozitive nga kjo dhe ndoshta do të fitojë edhe shumë votues të rinj.

BE-ja pritet të nxjerrë udhëzime për platforma të tilla si TikTok dhe X për të zbutur rreziqet ndaj zgjedhjeve.

Shqetësimet për ndërhyrjet dhe përmbajtjet  e rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale  janë përshkallëzuar në prag të  zgjedhjeve të Parlamentit Evropian që do të mbahen  në qershor.

Vetë TikTok ka vënë në dukje punën e tij për të luftuar dezinformimin dhe për të promovuar kontrollin e fakteve.

Klan News