Samuel Ndoka, djali i të ndjerit Aleksandër Ndoka dhe nipi i ish-deputetit Arben Ndoka, është në kërkim prej 3 vitesh për shitje droge, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të policisë.

Ai foli për herë të parë ekskluzivisht nga arratia për emisionin Uniko nga Spartak Koka dhe mohoi përfshirjen e tij në këtë ngjarje për të cilën akuzohet.

Samuel Ndoka thotë se disponon pamjet e kamerave të sigurisë që më datë 14 Qershor 2018 kur ka ndodhur dhe aksioni policor ku u arrestuan disa persona, ka qenë në shtëpinë e tij.

Këto pamje ai i bëri publike në emisionin Uniko dhe deklaron se është i gatshëm ta dorëzojë për ekspertizë në Prokurori pajisjen DVR që ka regjistruar të gjitha lëvizjet.

Spartak Koka: Ju thatë keni kamera sigurie. Nga vendi i ngjarjes ku është kapur droga 200 kg kanabis sativa që po bëhej me blerje të stimuluara nga agjentët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit dhe nga shtëpia juaj, çfarë distance është?

Samuel Ndoka: Nga shtëpia ime është 11 kilometra.

Spartak Koka: Operacioni thuhet që ka ndodhur rreth orës 23:50-23:54. Ku keni qenë ju në atë moment?

Samuel Ndoka: Unë kam qenë në shtëpi, kam hyrë në shtëpi në 23:10-23:15 edhe kam dalë nga shtëpia kur më kanë marrë në telefon kur ka ndodhur ngjarja, më kanë marrë në telefon për djalin e xhaxhait, Vilsonin. Kam dalë nga shtëpia në orën 00:15, kur ngjarja kishte ndodhur atje. Kishte përfunduar operacioni i policisë.

Spartak Koka: Shtëpia juaj ku ndodhet?

Samuel Ndoka: Shtëpia ime ndodhet në lagjen “Nënë Tereza” në Lezhë.

Spartak Koka: Këtu thotë data 14.06.2018, kamera pse është një ditë me vonesë?

Samuel Ndoka: Sepse DVR ka qenë një ditë mbrapa. Ka regjistruar një ditë mbrapa.

Spartak Koka: Si e provojmë ne këtë?

Samuel Ndoka: E provojmë sepse kam DVR, mund ta çojmë për ekspertizë kudo.

Spartak Koka: Pra është DVR që ka regjistruar të gjitha lëvizjet që keni pasur ju në shtëpinë tuaj gjatë asaj dite. Kjo DVR pas sa ditësh është hequr nga puna?

Samuel Ndoka: Kjo DVR është hequr nga puna 10-15 ditë pasi ka ndodhur ngjarja.

Spartak Koka: Pra ju i keni të gjitha lëvizjet para operacionit policor dhe pas operacionit policor dhe jeni gati t’i provoni Prokurorisë se s’keni lidhje me këtë histori?

Samuel Ndoka: Po!

Spartak Koka: Policia kur ka ardhur te shtëpia juaj?

Samuel Ndoka: Policia ka ardhur 1 ose 2 ditë pas arrestimeve që kanë ndodhur atje, kanë ardhur kontroll te shtëpia. Është edhe proces-verbali, mund të jetë në dosje.  

Spartak Koka: Keni qenë i vetëm në makinë?

Samuel Ndoka: Po.

Spartak Koka: Nga ku po ktheheshit?

Samuel Ndoka: Kam qenë në Rinas me dhëndrin time dhe me një shok të dhëndrit duke pirë kafe. Pasi kemi mbaruar kafen jemi nisur dhe kam ardhur në Lezhë. Kam lënë dhëndrin te shtëpia e vetë, pastaj kam ardhur në shtëpi. /tvklan.al