Babë e bir u qëlluan me armë gjatë një sherri të çastit

Armando Baboçi, 39 vjeç, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, që mori në një sherr masiv, një orë pasi u qëllua me armë gjatë një konflikti për motive të vjetra pronësie mes disa personave.

I plagosur me armë mbeti edhe Erald Gjini, 19 vjeç, i biri i viktimës, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën si dhe u dëmtua një i tretë, i cili kërkoi ndihmë mjekësore dy orë më pas.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00 në lagjen numër 13 Durrës. Policia sqaron se në konflikt u përfshinë të paktën 8 persona.

Fillimisht dyshohet se konflikti është nxitur nga Erald Gjini, duke qëlluar me sende të forta një nga pjesëtarët e familjes Tatozi me të cilët kishin një konflikt të hershëm pronësie.

Fill pas kësaj në konflikt është përfshirë dhe i ati i 19-vjeçarit Armando Baboçi, i cili ka shkuar në ndihmë të së birit.

Në përplasje janë përdorur mjete të forta dhe më pas armët e zjarrit, duke lënë dy të plagosur, njëri prej të cilëve ndërroi jetë në spital.

Mësohet se babë e birë janë qëlluar teksa tentuan të largohen, ndërsa personat e përfshirë në konflikt u ndaluan pak metra nga vendi i ngjarjes.

Policia thotë se ndaloi 6 shtetas të përfshirë në konflikt, mes tyre dhe autorin e ngjarjes, por pa dhënë shumë detaje mbi identitetin për shkak të hetimit.

Tv Klan