“Mandati ynë për të shërbyer, jo për të urdhëruar”

Me ceremoni zyrtare Albin Kurti u prit në ditën e parë të tij të punës si Kryeministër i ri i Kosovës.

Detyrën atij ia dorëzoi zv/Kryeministri i deritashëm Behxhet Pacolli, meqë Kryeministri i deridjeshëm Ramush Haradinaj ndodhej për një vizitë në SHBA.

Më pas, Kurti ka mbajtur mbledhjen e parë ceremoniale të qeverisë së Kosovës. Ai ka porositur ministrat që të zbatojnë në përpikmëri programin qeverisës.

“Karriget i kemi por më shumë duhet të rrimë në këmbë, programi ynë është ambicioz, por edhe pritjet e qytetarëve. Sytë e gjithë popullit janë te ky kabinet qeverisës”.

Ai ka thënë se kabineti i tij i ka shanset për sukses.

“Mandati duhet të jetë më shumë për të shërbyer e jo për të urdhëruar. Shanset për sukses i kemi të mëdha”.

Pas mbledhjes së qeverisë, Kurti menjëherë është nisur për në Prezak.

Kurtin sot e ka uruar edhe kryediplomati i BE-së Josep Borreli, duke shtuar se nevojitet përmirësim i bashkëpunimit rajonal dhe rifillimi i dialogut me Serbinë.

Kurtin e ka uruar edhe i dërguari special i SHBA-së Rechard Grenell. Sikurse Borelli, edhe Grenell kanë kërkuar nga Kurti heqjen e taksës ndaj Serbisë.

Ndërkohë, gjatë ditës kryetaren e re të Parlamentit Vjosa Osmanin e ka vizituar ambasadori amerikan në Kosovë, Filip Kosnet. Ndërsa ambasadori britanik në Kosovë e quan rast historik zgjedhjen e gruas së parë femër në krye të Parlamentit të Kosovës.

Tv Klan