Shet makinat e shtetit, ministrat me transport publik në punë

Këto pamje mund të jenë të pazakonta për secilin shtet ballkanik ku ministrat dhe deputetët konkurrojnë me njëri-tjetrin në sytë e popullit që i ka votuar dhe i mban në pushtet, duke u mburrur me makinat luksoze, prodhime të fundit në treg.

Por në Malin e Zi qeveria e re duket nuk ka humbur kohë për të realizuar një ndër premtimet elektorale, i cili lidhej me sekuestrimin dhe shitjen e dy super makinave që përdoreshin nga Presidenti Milo Gjukanoviç dhe ish-kryeministri Dushko Markoviç.

Kryeministri Zdravko Krivokapić dhe zëvendësi i tij Dritan Abazoviçit kanë vendosur që të nxjerrin në shitje dy makinat “Mercedes Benz Maybach” me vlerë secila nga 650 000 euro. Koalicioni i udhëhequr nga Krivokapić e kishte premtuar një gjë të tillë gjatë fushatës elektorale dhe tani ka vendosur që ta përmbushë këtë gjë.

Gjatë ditës së djeshme, kur ishte edhe mbledhja e parë e qeverisë, kryeministri malazez shkoi me taksi në punë. Skena të tilla rrallë herë janë parë në kryeqytetin malazez, apo në kryeqytetet e tjera ballkanike, ku zyrtarët shtetërorë shpenzojnë miliona euro për makina të reja të blinduara dhe me xhama të zinj mundësisht.

Madje oborret para selive të partive politike në Tiranë janë kthyer si sallone makinash luksoze, të cilat nuk janë në shitje, por në pronësi të politikanëve.

Kjo sjellje e qeverisë së re malazeze sjell ndërmend rastin e disa liderëve në vendet skandinave që shkojnë në punë me biçikletë.

Klan Plus