Qytetarët shqiptarë, që udhëtuan javën e kaluar për arsye pune apo turistike në Lindjen e Mesme dhe që për shkak të situatës në Izrael u bllokuan atje, janë gjendje të mirë.

Lajmin e bën të ditur Ministri i Jashtëm, Igli Hasani i cili thotë se prej mbrëmjes së të shtunës, përmes koordinimit me ambasadat e Shqipërisë në Izrael e Egjipt, nisi puna për të organizuar kthimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fluturimet e të cilëve u anuluan për shkak të situatës së tensionuar në rajon.

Kështu, ai thotë se 10 nxënës që studiojnë në shkollat ndërkombëtare në Izrael, 7 prej të cilëve nga Shqipëria dhe 3 nga Kosova, së bashku me 5 punonjës të Ministrisë së Turizmit dhe familjarë të tyre, kanë mbërritur në Qipro. Ndërkohë që sot në mbrëmje ata do të udhëtojnë drejt Tiranës e Prishtinës.

Gjithashtu ai thekson se po punohet për kthimin në atdhe edhe të dy qytetarëve, të cilët nuk mundën dot të përgjigjeshin në telefon të dielën, ndërsa përgatitej fluturimi i radhës.

Ndërkohë, 13 turistë shqiptarë janë larguar mbrëmjen e djeshme nga Jordania, e prej disa orësh janë pranë familjeve të tyre në atdhe.

Tv Klan