Kryeministri dhe Presidenti nuk po lenë rast pa shfrytëzuar për të drejtuar gishtin kundër njëri-tjetrit, për ta ngarkuar me përgjegjësi për krizën politike të krijuar.

Edi Rama, në një intervistë për Radion Europa e Lirë deklaron se demokracia nuk negociohet dhe kjo është arsyeja përse dhe 30 Qershori nuk mund të vihet në diskutim.

Ai thotë se zgjedhjet nuk janë të partive, por të popullit, çka sipas tij është një parim që për këto zgjedhje ka dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

“E qartë, është zgjidhja që mbështet gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe patjetër edhe shumica dërmuese e popullit shqiptar, që do të thotë se zgjedhjet nuk janë të politikanëve, janë të popullit. Populli ka të drejtë të zgjedh në ditën e përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji dhe politikanët kanë detyrë të paraqiten para popullit. Kush nuk paraqitet para popullit është i lirë ta bëjë, por historia ka treguar se jo vetëm nuk fiton asgjë, por përkundrazi paguan një kosto të madhe politike”.

Edhe Presidenti, duke iu kundërpërgjigjur intervistës së Kryeministrit, përmes zëdhënësit të tij thotë se e përkrah kreun e qeverisë kur thotë se zgjedhjet i takojnë popullit, por për të, përveç demokracisë edhe pluralizmi politik është i panegociueshëm.

Rama reagoi pa vonesë me Ministren për Parlamentin, duke thënë se pluralizëm do të thotë që populli vendos me zgjedhje dhe secili në mendjen e vet, hyn apo s’hyn në zgjedhje. Pyetja për presidentin mbetet: përse nuk thotë gjë për dhunën Ilir Meta?”, përfundon reagimi.

Tv Klan