Kryeministri Edi Rama në konferencën e fundvitit me gazetarët ka komentuar  përballjen me pandeminë dhe vendimet e marra nga qeveria gjatë kësaj kohe. Rama në fjalën e tij tha se nga paketa e parë dhe e dytë janë ndihmuar me pagë lufte më shumë se 300 mijë qytetarë.

Sot janë 300 mijë qytetarë që kanë përfituar direkt pagë lufte, nga paketa e parë apo nga paketa e dytë e ndihmës. Ndërkohë që ndihma direkte për biznesin e vogël është konkretizuar me një hap kurajoz dhe goxha progresist, jo vetëm për këtë fazë, por në afat të gjatë duke hequr taksën për biznesin e vogël në rajon, se me Evropën nuk krahasohemi se taksat janë shumë të larta”, tha Rama.

Më tej Kryeministri citoi dhe disa shifra për sa i përket garancive sovrane të dhëna nga qeveria dhe tha se kanë përfituar 53 mijë punonjës.

Kemi pasur dhe polemika për garancinë sovrane, e cila synonte mbështetje për biznesin e madh për të mundësuar pagat e punonjësve dhe disa sektorë delikatë të ekonomisë, të gjitha ndërmarrjet prodhuese, fasonët dhe operatorët në fushën e turizmit. Sot që flasim janë 560 entitete që kanë përfituar nga garancia sovrane e parë dhe 200 të tjera nga garancia e dytë sovrane. Ajo që është dhe më domethënëse në këto shifra është se kanë përfituar 53 mijë punonjës”, theksoi kreu i qeverisë./tvklan.al