Kryeministri Edi Rama ka vijuar me serinë e postimeve të tij ku shpjegon se pse Partisë Socialiste i duhet mandati i tretë për të drejtuar punët e vendit. Këtë herë, kreu i qeverisë u ndal në Elbasan dhe shembull mori Urgjencën dhe spitalin e Patologjisë në këtë qytet.

E teksa ka hedhur foto nga godinat se si kanë qenë në kohën e qeverisjes së PD-së dhe si janë bërë në kohën e qeverisjes së tij, Rama thotë se nuk ka nevojë për koment.

“Ky është Spitali i Urgjencës dhe Patologjisë në Elbasan dhe besoj s’ka nevojë për koment, pavarësisht se kush nuk do të shikojë s’ka shans ta shohë ndryshimin (s’ka më qorr se ai që i ka sytë top, po mendjen tapë!), por do të vazhdojë avazin se sot është më keq se dje”, shkruan Rama.

Sipas tij spitalet e sotme nuk kanë krahasim me ato të qeverisjes së shkuar. Por është vetë kreu i qeverisë që thotë se ky ndryshim në infrastrukturë nuk mjafton. Ai shton se duhet çuar deri në fund ndryshimi që është nisur për organizimin e bluzave të bardha, menaxhimin e tyre, cilësinë morale dhe atë të shërbimit profesional. Kështu sipas kreut të qeverisë largohen edhe abuzuesit nga sistemi shëndetësor.

“Jo, sot spitalet nuk kanë asnjë krahasim me dje, por unë jam i pari që e di se ky ndryshim fantastik i infrastrukturës nuk mjafton, sepse duhet ta kryejmë deri në fund edhe ndryshimin që kemi nisur këto vite në organizimin e bluzave të bardha, menaxhimin e tyre, cilësinë morale e jo vetëm profesionale të shërbimit, duke pastruar deri në fund abuzuesit e batakçinjtë nga radhët e atyre bluzave”.

Janë këto arsyet që përmend kryeministri Edi Rama, ndërsa ndër të tjera pyet shqiptarët se si do të ishte situata po t’i kishte gjetur spitalet si 7 vite më parë.

“Po sikur të kishte sulmuar virusi para 7 vjetësh kur spitalet ishin deri edhe në këtë derexhe apo sikur largoqoftë edhe ne të kishim qenë si ata të para 7 vjetëve dhe të na kishte gjetur me ato farë spitalesh, a e imagjinoni dot se çfarë qameti do ishte bërë apo jo”? /tvklan.al