Basha: Fillim i mbarë pas denoncimeve të PD

Si në çdo rast tjetër kur anëtarë të familjes socialiste kanë pasur probleme me drejtësinë, edhe për kryebashkiakun e Lushnjes kryeministri ka reaguar duke thënë se përgjegjësia është individuale dhe se kjo forcë nuk do t’i bëhet mburojë.

“Kryetari i Bashkisë së Lushnjës dhe cilido tjetër i akuzuar nga drejtësia në këtë rast apo në çdo rast, nuk do të ketë asnjë mbrojtje nga Partia Socialiste e duhet të përgjigjen vetë para drejtësisë, me avokatët e tyre e me gojën e tyre! PS u shërben zgjedhësve jo të zgjedhurve.

Çdo zgjedhës duhet ta dijë se besnikëria jonë ndaj tij nuk varet nga asnjë individ, po është flamur beteje i PS për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë dhe çdo i zgjedhur nuk duhet ta harrojë se flamuri i PS s’mund të bëhet mbulesa e askujt, për asnjë interes apo faj vetjak”.

Kryedemokrati Basha nga ana tjetër i njeh meritën Partisë Demokratike që ka denoncuar aferat korruptive të kryebashkiakut të Lushnjes, por ai goditjen e lidhjeve të krimit të organizuar, pjesë e të cilit thotë se është dhe Tushe, deputeti i zonës Braçe e vetë kryeministri e sheh tek pavarësia e drejtësisë.

“Arrestimi i Fatos Tushës pas denoncimeve shumëvjeçare nga PD të bashkëpunimit të tij korruptiv me krimin e organizuar, mund të jetë një fillim i mbarë. Por kjo do të varet nga aftësia, kuarajo dhe pavarësia e drejtësisë për të goditur lidhjet e pushtetit me krimin, lidhjet e Hakmarrjes për Drejtësi me Tushën, Braçen dhe vetë Ramën, dhe përfitimet e tyre të ndërsjellta në vite të gjata bashkëpunimi”.

Ambasadorja amerikane në reagimin e saj për arrestimin e kryebashkiakut ju kujton te gjithë zyrtarëve të përfshirë në korrupsion se ligji do t’i godas pavarësisht sesa të fuqishëm janë me postet që mbajnë.

“Nëse jeni të përfshirë në korrupsion – pavarësisht sa të fuqishëm mendoni se jeni – tani është koha për të peshuar ndikimin që veprimet tuaja do të kenë në familjen dhe vendin tuaj… Tani është koha për të gjykuar nëse ia vlen të shkosh në burg. Tani është koha për t’u ndalur. Askush nuk është mbi ligjin”.

Fatos Tushe është kryebashkiaku i dytë socialist që arrestohet për abuzime me detyrën, i pari ishte Shpëtim Gjika kryetari i Bashkisë së Vlorës.

Tv Klan