“Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju”

Kryeministri Edi Rama nëpërmjet disa postimeve në rrjetet sociale u ka bërë thirrje grevisteve të Ballshit që të lejnë grevën dhe menjëherë do të nisin bisedimet.

Ai thotë se qeveria nuk është armiku i tyre, por aleati. Rama iu bën thirrje grave që të mos dorëzohen, por as atë mos gënjehen nga “krokodilët që lotojnë për ju” duke nënkuptuar përfaqësuesit e opozitës.

“Të dashura motra greviste të Ballshit! Askush nuk ju kërkon të dorëzoheni, qeveria nuk është armiku po aleati juaj dhe askush nuk ju ofron lëmoshë, ne jemi gati të qajmë hallin tuaj së bashku! E vetmja pengesë mes nesh është greva juaj. Mbyllni grevën dhe unë do jem aty menjëherë! Mos u gënjeni nga krokodilët që lotojnë për ju e duan t’ju përdorin kundër qeverisë! Qeveria është e juaja, por nuk mund të bisedojë me ju nën presion e me ultimatume! Grevat bëhen për t’u dëgjuar, jo për të marrë me zor atë që ke në mendje. Ne ju kemi dëgjuar e po ju presim juve”, shkruan Rama.

Kryeministri vijoi me postimet e tij në rrjetet sociale dhe pas 30 minutash shkroi sërish dhe tha se nuk është qeveria ajo që ka shkaktuar problemet për naftëtarët pasi rafineria është private. Rama thotë se e mirëkupton faktin që naftëtarët nuk duan të dalin në asistencë, por pa mbyllur grevën qeveria “ua qan dot hallin”.

“Edhe njëherë: Nuk ju kam ftuar në asnjë negociatë, sepse nuk kemi asgjë për të negociuar pasi qeveria as nuk e ka shkaktuar hallin tuaj, as nuk trashëgon mbi vete problemin e krijuar nga kompania private! Rafineria nuk është e shtetit. Ju lutem na jepni mundësinë t’ju ndihmojmë! Ideja se punonjësit e një kompanie private mund të bëjnë grevë kundër qeverisë për detyrimet e sipërmarrësit privat është e gabuar. Ju nuk e doni daljen në asistencë dhe e mirëkuptojmë, por ju’a përsëris, pa mbyllur grevën nuk ju’a qajmë dot hallin konkretisht përtej asistencës”, tha Rama.

Gratë e naftëtarëve janë futur në grevë urie prej dyjavësh. Ato kërkojnë pagat e prapambetura të naftëtarëve dhe rifillimin e punës së rafinerisë së Ballshit. /tvklan.al