Kryeministri Rama është shfaqur me një propozim të ri për opozitën në funksion të arritjes së një kompromisi për Reformën në Drejtësi, por ka theksuar qartë kush është vija e kuqe, për të cilën negociatat nuk do të funksionojnë edhe me koston, që kjo reformë të mos miratohet fare.

Pozicionet e palëve për vendet e rezervuara siç kërkon opozita apo votim me 2 të 3 siç propozoi së fundmi Partia Socialiste për përbërjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë Prokurorisë mund të negocohen, thotë Rama. Ai pranon të bëjë lëshime për këto dy institucione. Por ajo që është vijë e paprekshme dhe e panegociueshme, sipas Kryeministrit, janë dy komisionet e reja që do të ngrihen për të kryer vetingun, apo verifikimin dhe certifikimin e të gjithë të zgjedhureve në sistemin e drejtësisë.

Qëndrimin e ri kryeministri e bëri të ditur pas takimeve të gjata të zhvilluara gjatë paradites në zyrën e tij në Kryeministri me Ilir Metën, i cili shoqërohej nga Petrit Vasili, Ylli Manjani e Sokol Dervishi dhe vetëm pak minuta pasi përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim lanë zyrën, me ambasadorët Donald Lu e Romana Vllautin.

Të dielën Meta u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën dhe pas takimit theksoi nevojën e gjetjes së një kompromisi për ta votuar me konsensus dhe pa vonesë Reformën në Drejtësi.

Tv Klan