Kreu i qeverisë Edi Rama ironizoi komentoi nga Bajram Curri deklaratat e Metës se Kolegji Zgjedhor u shantazhua për vendimin.

“llir Meta ka zënë vendin e Nard Ndokës, me fjalinë, shantazhin ndaj gjykatësve, e pashë në fotografi. Nard Ndoka këtë nivel nuk e kishte kapur. Ilir Meta ka marrë përsipër molotovët institucionalë, ka marrë përsipër të gjuajë me molotov dekretesh zgjedhjesh, me molotov fjalësh nga zyra e parlamentit, gjykatave, Amerikës, Europës. Unë nuk kam anuluar zgjedhjet në Amerikë që të pyesim Amerikën, sa të kem Lulin dhe Monikën nuk pyes për Italinë dhe Amerikën”.

Kryeministri ka një mendim të ndryshëm nga ai i kreut të shtetit, i cili tha se do ta mbyllë të plotë mandatin e tij presidencial. Në një bashkëbisedim me banorët e Njësisë Numër 2 në Tiranë, Rama shprehet i sigurt se maxhoranca do t’i shkojë deri në fund nismës për shkarkimin e kreut të shtetit.

Dhe sigurinë se Ilir Meta do ta lerë atë zyrë nuk e mbështet vetëm tek numrat në parlament: “Shoh dy rrugë që bashkohen dhe një “i” që është përmbys”.

Rama pranon vështirësitë që do të ketë procesi zgjedhor i të dielës së 30 Qershorit, por thotë se e rëndësishme, veç pjesëmarrjes do të jetë arritja e standardeve.

“Gjëja më e rëndësishme për ne është që procesi të jetë sa më korrekt. Mungesa e kundërshtarëve e bën të komplikuar fushatën sepse një pjesë thonë s’ka kundërshtarë, s’ja vlen, do ikim në plazh. Një pjesë tjetër thonë s’jam duke shkuar se vota ime është e fshehtë, kështu duket sikur… Por ajo që është e rëndësishme është që pjesa e atyre që administrojnë procesin të jetë shumë korrekt. Duhet vëmendje e madhe që të jetë procesi korrekt. Pastaj s’kemi çfarë t’ju bëjmë atyre. Është një vetëvrasje politike spektakolare”.

 Tv Klan