Në të parën mbledhje me kabinetin qeveritar pas prezantimit të zv/ministrave kryeministri Rama e vuri theksin tek puna në skuadër dhe lufta në disa sektorë ku më prioritarja është ajo kundër krimit.

“Duhet të iniciojmë në këto 100 ditë, fazën e dytë, atë më sfiduesen, në luftën me krimin dhe për rindërtimin e Policisë së Shtetit. Pas rilindjes së Policisë së Shtetit e shfarosjes kanabisit si një fenomen epidemik, duhet të zhvillojmë me të njëjtin sukses, operacionin kombëtar kundër rrjeteve kriminale dhe pastrimin e plotë të radhëve të Policisë nga elementët e inkriminuar, të korruptuar apo të paaftë, përmes Vettingut në Policinë e Shtetit. Skuadra e re drejtuese e Ministrisë së Brendshme, mund të quhet pa asnjë ngurrim ‘fit for purpose’.”

Kreu i qeverisë foli për një sfida të vështira dhe objektivin që qeveria të hapë vitin që vjen negociatat me Bashkimin Europian.

“E kundërshtarët tanë në fushën tonë qe vetëm lojë nuk është, s’janë aspak të dobët, përkundrazi, janë të egër e të rrezikshëm! Papunësia! Korrupsioni! Cinizmi! Sa për të përmendur kryesoret. Kemi edhe një opozite të dobët, që ulëret e shan si ai frikacaku që bërtet për të kaluar pyllin natën, por ky është një rrezik më vete për skuadrën tonë dhe jo një lehtësi.”

Kryeministri tha se mazhoranca ka si aleat popullin  në rrugën e përmbushjes së reformave për ta bërë Shqipërinë shtetin e mirëqenies dhe drejtësisë për të gjithë./Tv Klan