Fevziu: IP-të e përdorura pranë PS-së

Kryeministri Edi Rama deklaroi gjatë emisionit “Opinion” se sondazhi i krijuar nga vetë emisioni me temë sa njihen ministrat është gënjeshtër. Sipas kreut të qeverisë, ajo është thjesht një anketim, pasi sondazhet bëhen në mënyrë shkencore.

Ai theksoi se ka vërtetuar se ministrat e tij apo stafet e tyre nuk kanë ndërhyrë në atë sondazh. Madje sipas tij, lidhje me këtë ngjarje kanë forca të tjera të brendshme që duan të diskretitojnë qeverinë.

“Keni harxhuar kohën për një pseudosondazh duke u thënë njerëzve që ministrat kanë ndërmarrë një operacion për të rritur pëlqyeshmërinë. Së pari duhet t’i thoni publikut që sondazhet në media nuk janë sondazhe, por thjesht anketime të një grupi. Është thjeshtë anketim për ata që ndjekin një emision apo gazetë. Sondazhet bëhen në mënyrë shkencore. Është e pavërtetë dhe ne e kemi të verifikuar këtë gjë që në atë sondazh ka pasur ndërhyrje nga ministra apo stafet e tyre. E kemi vërtetuar. Në një vend tjetër, nëse do të ndodhte diçka e tillë do të bëhej hetim sepse atë gjë mund ta bënin edhe forca që do të diskretitonin qeverinë e një vendi. Unë nuk mendoj që janë forca të huaja, por mendoj se janë forca të brendshme. Di të them që është një gënjeshtër”, tha Rama.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i drejtuesit të emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu. Ai theksoi se emisioni i tij bëri një testim dhe përdori edhe mënyra të tjera përveç atij online. Sipas Fevziut, pjesa më e madhe e IP-ve të përdorura për votat false ishin pranë PS-së.

“Ne bëmë një testim në tre pjesë. Testimin e parë e bëmë për të pyetur qytetarët në rrugë. 83% nuk i dinin ministrat. I nxorëm me letra në dorë, me fotografitë e ministrave. Ti je në paranojën që është bërë kundër teje, PD është në paranojën që është bërë kundër tyre. Ne jemi në rregull. IP-të e përdorura një pjesë e tyre “location” e kanë te PS ose rreth PS-së”, tha Fevziu.

Emisioni “Opinion”, trajtoi dy net më parë sondazhin që kishte bërë për të kuptuar sa njihen ministrat nga qytetarët shqiptarë. Nga sondazhi online, u vu re një anomali përsa i përket votimeve.

Numri i votave ishte rritur në mënyrë jo të njëtrajtshme. Nga verifikimet u zbulua se një numër i konsiderueshëm votimesh për disa prej ministrave ishin false./tvklan.al