Rama: Me Fatos Nanon këshillohem, kritikat e mia ndaj tij kanë qenë në procesin e ‘vrasjes së babait’



Rama: Me Fatos Nanon këshillohem, kritikat e mia ndaj tij kanë qenë në procesin e ‘vrasjes së babait’

23:50 29/04/2021

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë emisionit “Opinion” të enjten se ka respekt për Fatos Nanon dhe se këshillohet me personin të cilin e pasoi në krye të Partisë Socialiste.

“Unë kam respekt për Fatos Nanon. Unë me Fatos Nanon këshillohem”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli edhe për kritikat që ka pasur ndaj Nanos në fillime, ndërsa tha se kjo ka ndodhur për shkak se ka qenë në procesin e ‘vrasjes’ politike të paraardhësit të tij në krye të selisë rozë.

“Ato kanë qenë momentet, ka qenë procesi i ‘vrasjes së babait’. Një lider po nuk ‘vrau babain’, nuk bëhet dot. Nuk ka respekt. Respekti vjen pasi e vret. Nuk diskutohet fare. Duhet ta vrasësh se nuk ke pastaj si bën mbrapa. Po të flas politikisht. Nuk po flas për veten, po të tregoj historinë. Angela Merkeln e ‘vrau babain’. Angela Merkel e nxorri nga godina, ‘e vrau’. Fjalimin më të bukur Kohl-it ia bëri Angela Merkel sepse e respektonte. Respekti për liderin tjetër sepse e di kur është vijimësia, është kur lideri ikën dhe nuk merret me partinë.

Dy rrugë ka, o ti je lider dhe ikën dhe nuk merresh më, kurse ai që rri atje, ai duhet vrarë politikisht. Lulzim Basha do ishte dikush tjetër nëse Sali Berisha mund ta zgjidhte dhe të rrinte atje rehat. Të rrinte atje në Lalëz dhe të merrej me kalamajtë, jo të bënte pamfletët e veta që i thotë të gjithëve ‘jam unë këtu’”, tha Rama. /tvklan.al







Të ngjashme