Që prej vitit 2019, kur u krijua programi i Bonusit të Bebes më shumë se 210 mijë fëmijë kanë përfituar mbështetje nga qeveria.

Lajmin e ndau Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale duke nënvizuar se edhe në buxhetin e këtij viti, vijon të financohet Programi i Bonusit të Bebes me një vlerë prej 2.2 miliardë Lekësh në mbështetje të familjeve që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri.

Me anë të bonusit të bebes mbështeten familjet shqiptare në masën 40,000 Lekë për lindjen e foshnjës së parë, 80,000 Lekë për foshnjën e dytë dhe për foshnjen e tretë vleren prej 120,000 Lekësh.

Vitin e kaluar Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë që bonusi i bebeve nuk do të jepet më për fëmijët e familjeve që jetojnë jashtë territorit shqiptar.

Ky hap u ndërmor pasi analizat mbi përfitueshmërinë e programit tregonin se shumica e përfituesve ishin familjet e fëmijëve të lindur nga prindër shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në një kohë kur prioritet është mbështetja e atyre që lindin e jetojnë në Shqipëri.

Klan News