Kryeministri Edi Rama ka vijuar replikat me Presidentin Ilir Meta. Gjatë një prononcimi për mediat jashtë Kuvendit, kreu i qeverisë tha se Meta është një njeri që nuk ngopet dhe nuk ndalon së ngatërruari dynjanë.

“Çfarë borxhi i ka më Shqipëri Ilir Metës? Çfarë duhet të bëjnë shqiptarët akoma për Ilir Metën, kjo është pyetja. Një njeri që fatkeqësisht nuk ngopet dhe nuk ndalon së ngatërruari dynjanë. Pse? Çfarë do Ilir Meta akoma nga Shqipëria?”, tha Rama.

Sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, Rama tha se nuk ka shpikur formula, por ka marrë një mekanizëm që përdoret në disa vende të Europës Perëndimore.

Me listat e hapura sipas propozimit të PS-së, standardet në zgjedhje janë të garantuara tha ai. Pas zgjedhjeve  të 25 Prillit, Rama tha se do të ketë shembuj që do të vërtetojnë se listat sipas PS-së janë të hapura. Pragu që u ul në 1% sipas Ramës u bë me kërkesë të opozitës parlamentare.

“Ishte kërkesë e tyre që pragu të ulej. Ça janë këto parti që edhe në pragun 1% klithin e ulërijnë. Kur nuk kanë as 1 % pse dalin?”, tha Rama.

Ai mohoi që të jenë blerë deputetë opozitarë për të kaluar Kodin e ri Zgjedhor.

“Pse qenka o janë blerë o janë tradhtarë. Ata nuk janë formacion i rregullt politik siç ishte PD-ja. Pse duhet të jetë kjo kështu? Si ka mundësi që çdo gjë qenka ose e shitur ose e blerë? Jo nuk është kështu. Ata kanë marrë mandatin nga Monika dhe nga Luli, nuk i kam zgjedhur unë. Vota që jepet në parlament nuk është e vlefshme kur ka fotografi në shesh mbrapa. Mandatet ata i kanë marrë nga Luli dhe nga Monika”, tha Rama./tvklan.al