Kryeministri Edi Rama i quajti fantazi të gjeneruara nga vapa, çdo aludim për ndryshime të mundshme në qeveri.

“Nuk ka ndryshime në qeveri, janë fantazi që burojnë edhe nga temperaturat e larta. Nuk kam deklaruar që do të ketë ndryshime, kam thënë që janë një sërë detyrash për t’u bërë dhe nëse detyrat janë bërë nuk ka nevojë për ndryshime”.

I pyetur për pretendimet e opozitës, se ka 85 përqind të shqiptarëve pas vetes, ata që sipas saj nuk morën pjesë në zgjedhjet lokale, Rama tha: “E kam thënë gjatë fushatës që ata do të ndëshkohen nga vetëpërjashtimi dhe në procesin e vetëvrasjes të bërtasin fitore dhe siç e shikoni, po bërtasin fitore. Fitore të tilla paçin gjithmonë, unë sinqerisht ia uroj, por ajo që mbetet është rezultati i vullnetit të sovranit, popullit shqiptar”.

Pyetjes nëse ka pasur një plan të hershëm për të eliminuar opozitën, Rama iu përgjigj duke thënë se nuk ka nevojë për plane të tilla, pasi sipas tij, ajo këtë po e bën vetë më së miri.

“Për fat të keq të atyre që ende e besojnë këtë opozitë, nuk ka nevojë për plane për të eliminuar opozitën sepse opozita është në kapacitete të plota për t’u vetë eliminuar dhe siç po e shikoni procesi i degradimit vazhdon, në një rrugë që e kanë zgjedhur vetë, qorrazi dhe ku çdo ditë hedhin qorrazi nga një hap. Por ajo që është e rëndësishme për ne, është që t’i qëndrojnë besnikë të gjithëve, edhe atyre që na votuan, edhe atyre që nuk na votuan”.

Kryeministri tha gjithashtu se Partia Socialiste në Shtator do të zhvillojë zgjedhjet brenda saj.

“Do të hyjmë në proces zgjedhor sepse është viti. Do të flasim më tutje për këtë duke filluar nga Asambleja Kombëtare. Gjithë organizatat e partisë, forumet e partisë, Asambleja, Kryesia, do të rizgjidhen nga Kongresi i ri zgjedhor i PS”.

Deklaratat, Kryeministri Edi Rama i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, të zhvilluar paraditen e kësaj të hëne, ku tha se u diskutua mbi të gjithë pasqyrën e 30 Qershorit, çfarë është bërë dhe çfarë do të bëhet më tej./tvklan.al