Rama: Nuk do preket asnjë cm 2 i truallit të Teatrit

Rama: Nuk do preket asnjë cm 2 i truallit të Teatrit

19:55 31/07/2019

Basha: Mashtron për të vjedhur 200 milionë euro

Kryeministri Edi Rama u përgjigjet edhe një herë akuzave për çështjen e Teatrit Kombëtar duke sqaruar se trualli i godinës ekzistuese nuk do të cenohet nga projekti i ri.

 “Është folur e stërfolur, shpifur e stërshpifur, akuzuar e stërakuzuar, për truallin e teatrit që do “kafshohet” nga privati! Në fakt asnjë cm2 e truallit të teatrit nuk do të preket nga asnjë privat dhe mbi të do të ndërtohet vetëm Teatri i ri Kombëtar! Ndërsa po, është e vërtetë që matanë murit rrethues të teatrit ekzistues, ka një truall në pronë të bashkisë që do t’i jepet privatit, në këmbim të Teatrit të ri që privati do të ndërtojë me kapitalin e tij, pa asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit!” 

Rama publikon edhe një video të hapësirës pas Teatrit Kombëtar që sipas tij është në gjendje të degraduar.

 “A është ky truall një vlerë arkeologjike, historike, kombëtare apo kulturore, që po e humbet Shqipëria me këtë partneritet Publik-Privat për Teatrin e Ri Kombëtar? Dhe nëse jo, a nuk i’a vlen që në këmbim të këtij trualli, i cili do t’i bashkëngjitet pronave private përreth, Shqipëria të përfitojë një Teatër të Ri Kombëtar të denjë për Shqipërinë që duam?.”

Pas deklaratave të kryeministrit ka reaguar kreu i opozitës Lulzim Basha që gjithashtu ka publikuar një video duke akuzuar Ramën se nuk ka thënë asnjë fjalë për Dakon, por vazhdon të mashtrojë për aferën e 6 kullave 200 milionë euro, pasi qëllimi i tij i vetëm është të vjedhë.

 “Edi Rama dhe Erion Veliaj po shembin Teatrin Kombëtar për të grabitur 8467 m2 pronë publike dhe për të ngritur kulla mbi 20 kate. Nëpërmjet “Fusha shpk”, Edi Rama dhe Erion Veliaj fitojnë jo më pak se 200 milionë euro nga grabitja e pronës publike me ligj korruptiv. Me ligjin Antimafia, PD do të sekuestrojë çdo cm2 pronë publike të grabitur. Nëse shembet Teatri, me ligj do tu vendosë minat kullave korruptive të korrupsionit!”

Më herët kryeministri Edi Rama publikoi edhe qëndrimin e aktores Ema Andrea që gjithashtu ka dalë në mbrojtje të projektit të ri të Teatrit Kombëtar. 

Tv Klan

Të ngjashme
UKT