Rama-opozitës: Shfaqen nëpër media si të dehur



Rama-opozitës: Shfaqen nëpër media si të dehur

10:30 31/10/2020

“Nuk kanë fituar asnjë sfidë kur kanë qenë në pushtet”

Kryeministri ndodhej në Kukës këtë të shtunë për të marrë pjesë në fushatën e takimeve “Deputeti që duam”. Kreu i qeverisë tregoi përballë të ftuarve se pse i duhet PS-së një mandat i tretë në krye të qeverisë. Sipas tij, drejtuesit e opozitës nuk kanë reflektuar për punët që kanë bërë në të shkuarën.

“Pse na duhet një mandat i tretë? Pse unë kërkoj sëbashku me skuadrën time një mandat të tretë për PS-në? Për një arsye shumë të thjeshtë sepse kthesa që kemi marrë dhe ku tanimë kemi hyrë thellë për të filluar të dalim në rrugën që ngre Shqipërinë në një nivel tjetër nuk mund të zmbrapset dhe Shqipëria nuk mund të ngecë sot kur shumë çka ka nisur të marrë formë njësoj si ky aeroport. Parafytyroni veten për një moment që PS-ja e lë në mes këtë punë. Do të ndodhë me Shqipërinë e njëjta gjë që ndodhi me Rrugën e Kombit, e cila është e vetmja vepër publike e nisur nga ata të cilët sot duan të rikthehen në krye të punëve të vendit pa bërë akoma reflektim nga punët e së shkuarës me idenë që të bëhej vepër me standarde europiane”, tha Rama.

Kreu i qeverisë tha se drejtuesit e opozitës janë provuar në krye të shtetit dhe kanë dështuar. Sipas tij, ata janë të pakualifikuar për një vend pune.

“Shfaqen nëpër ekrane si të dehur që kanë dalë nga dera e klubit dhe nxjerrin gjithçka pa mundur më të kontrollojnë zorrët e barkut”, tha ndër të tjera Rama.

“Çfarë ndodh me ata që duan të kthehen. Për fat të mirë i njohim, askush prej tyre nuk është i panjohur. Të gjithë i kemi parë në punë, janë provuar. E kanë pasur mundësinë të provojnë punët e premtuara dhe për fat të keq janë të pakualifikuar për vend pune. Edhe një vend pune që kishin t’i shërbenin Shqipërisë në parlament nuk e bënë se nuk rrinë dot me dinjitet dhe aftësi në një vend pune. Prandaj shfaqen nëpër ekrane si të dehur që kanë dalë nga dera e klubit dhe nxjerrin gjithçka pa mundur më të kontrollojnë zorrët e barkut. Parafytyroni se çfarë ndodh nëse u mbetet atyre në dorë puna për rindërtimin. Dua ta kujtoj këtu që një grup jo i vogël u përmbyt në Shkodër dhe u desh të vinim ne në qeveri për të dhënë dëmshpërblimet. Parafytyroni tani se çfarë bëjnë këta nëse vijnë dhe marrin përsipër të ndërtojnë shtëpitë e njerëzve, pallatet, mijëra e mijëra shtëpi dhe apartamente banimi. Është e thjeshtë për t’u parafytyruar sepse bëhet fjalë për lojtarë të njohur, që i kemi parë në fushë, lojtarë që e kanë pasur mundësinë të luajnë në shtëpi dhe kanë dalë të mundur përballë sfidave. Më thoni një sfidë që ata e fituan kur ishin në fushë? Më thoni 1? Flasin sot disa që natyrisht janë ata që nuk duan të shohin që ne e paskemi krijuar varfërinë, e paskemi vështirësuar ekonominë? E vërteta nuk është kështu”, tha Rama. /tvklan.al




Të ngjashme