Në bashkëbisedim e fundvitit me gazetarët, duke u ndaluar tek protestat gjatë 2018-s, Kryeministri Edi Rama tha se ato kanë ndikuar pozitivisht tek qeveria.

“Protestat janë pjesë e natyrshme e shoqërisë demokratike, janë një mënyrë për të kërkuar që të dëgjohesh. Protestat janë një aspekt shumë i dobishëm për të kuptuar pulsin e një shoqërie në një moment të caktuar. Protestat kanë ndikuar pozitivisht tek unë dhe qeveria”.

I pyetur për ndryshimet në qeveri, Rama tha se asnjë ministër nuk është shkarkuar, por ata janë zëvendësuar.

“Ata kanë kontribute themelore në të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur”.

Kreu i qeverisë u ndal në veçanti tek Lindita Nikolla, për të cilën tha se

“është ministrja që ka bërë atë që asnjë burrë në atë detyrë për 20 e kusur vite nuk e bëri dot”.

Sa i përket zgjedhjes së 7 ministrave të rinj, Rama tha se ata kanë një sens përkatësie ndaj vizionit dhe programit të Partisë Socialiste.

“Unë di që të gjithë ministrat e rinj janë më me eksperiencë sesa ata që u larguan ishin në ditën e parë të qeverisjes në 2013-n, sepse vijnë nga eksperienca të mirëfillta pune. Unë vetë jam frut i kësaj mënyre të të qenit të PS dhe i këtij raporti me të gjithë shoqërinë dhe me atë pjesë të shoqërisë që ndihet pranë PS, por nuk është e anëtarësuar.”

“Të gjithë ata që janë zgjedhur për qeverinë e re, që jo vetëm kanë kapacitetet e padiskutueshme, por kanë një sens përkatësie ndaj vizionit, programit dhe mënyrës së të qenit të PS, pavarësisht në kanë kartë ose jo.”

I pyetur nëse ka mundësi që Presidenti të mos dekretojë ministrat e rinj Rama tha:

“Nuk shoh arsye për të dyshuar në faktin që Presidenti do të marrë kohën e tij dhe do të dekretojë ministrat sikundër e kërkon Kushtetuta”

./tvklan.al