Kryeministri dhe Ministri i Bujqësisë kanë nisur një fushatë për informimin e bizneseve për shtrëngimin e masave në Kodin Penal, për abuzuesit me produktet ushqimore. Gjatë vizitës në një fabrikë mielli, Rama pranon se abuzimet në këtë produkt janë reale, ndryshe nga produktet e prodhimit vendas, perimet dhe frutat, që sipas tij zhurma mediatike është e padrejtë.

“E vërteta është që situata përpara disa vitesh ishte shumë xhungël. Nuk merrej vesh çfarë futej. Nuk merrej vesh çfarë prodhohej. Patëm masën e parë të shtrëngimit, që ta ndalojmë grurin me proteinë nën 12%. U bë goxha betejë, sepse janë lobe, janë interesa, janë para e madhe dhe ndërkohë tani është koha që t’i japim fund çdo lloj pasigurie dhe çdo lloj kërcënimi që vjen për shëndetin nga ushqimi, sidomos nga ushqimet që janë prodhime industriale, siç është buka, sepse për sa i përket frutave dhe perimeve e vërteta është që është bërë zhurmë e madhe krejtësisht e padrejtë. Kemi eksportuar rreth 300 mijë ton produkte vjet dhe faktikisht nuk është kthyer një kamion nga BE-ja, flas për perime, për fruta, ndërkohë që për këto, që nga buka dhe të tjerat, shqetësimi është real. Kështu që vendosja në Kodin Penal të masave që çojnë në heqje lirie për ata që kërcënojnë shëndetin do sjellë, jam i bindur, një përmirësim të menjëhershëm, sepse, në fund të fundit edhe një pjesë e atyre që e bëjnë këtë punë, e bëjnë me lehtësi, nuk e marrin shumë seriozisht edhe për faktin që, është diçka që sistemi nuk ka arritur dot ta godasë, apo ta frenojë. Me këtë, besoj që do vendoset standard përfundimisht për produktet ushqimore që vijnë nga industria e lehtë. Është e domosdoshme”.

Masat e reja në Kodin Penal sipas Kryeministri do të ulin abuzimet.

Tv Klan