Kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë zyrtare dyditore në Paris, Francë, me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron.

Fokusi kryesor pritet të jetë tërheqja e investimeve franceze dhe mbështetja e Parisit brenda BE-së për negociatat. Me 16 Tetor të vitit të kaluar në Tiranë presidenti Macron tha se vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian. Kjo deklarate erdhi pas disa vitesh bllokimi nga Franca të negociatave me vendin tonë.

Prezenca e investimeve franceze në vendin tonë ka patur një trend rritës duke tejkaluar shifrën e 500 milionë Eurove.

Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Francës, ka bërë që vendin tonë të vijnë 111 kompani me pronësi franceze.

Kompanitë franceze operojnë në sektorin minerar, siç është ajo në kërkim-përpunimin e bitumit, por së fundi janë shtuar edhe disa sipërmarrje të reja investimi në sektorin e energjisë së rinovueshme dhe në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Takimi me presidentin Macron është planifikuar të zhvillohet të premten duke nisur në orën 12:30.

Më pas, në praninë e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Macron do të nënshkruhen disa marrëveshje ndërqeveritare dhe memorandume mirëkuptimi mes vendeve.

Gjatë qëndrimit në Paris, Rama do të marrë pjesë edhe në mbledhjen inauguruese të Këshillit të Inovacionit Francë-Shqipëri ku do të jenë të pranishëm edhe operatorë të ndryshëm franceze e shqiptarë në fushën e inovacionit.

Së bashku me Kryeministrin Rama pjesë e delegacionit qeveritar janë ministrat Manastirliu, Kumbaro, Gonxhe, Mazniku dhe Pirdeni.

Klan News