Shkencëtaret në Britani kanë ngritur mundësinë e një lufte të përjetshme ndaj koronavirusit duke thënë se çrrënjosja e virusit “nuk ka gjasa të ndodhë”. Ata paralajmërojnë se “gjithmonë do të ketë variante”. Shkencëtarët shpresojnë që virusi të evoluojë në një formë që shkakton “sëmundje shumë më pak të rënda”.

Masat parandaluese dhe kufizimet do të jenë të nevojshme ndërkohë që ekziston një “mundësi reale” që të shfaqen variante rezistente ndaj vaksinave.

Në një raport të publikuar nga Grupi Këshillimor Shkencor i Britanisë për Emergjencat, shkencëtarët nuk përjashtojnë mundësinë e shfaqjes së një varianti të ri, që të ketë nivelin e vdekshmërisë së MERS-it, një koronavirus tjetër, i cili ka një shkallë të lartë vdekjesh prej 35%.

Politikanët e opozitës në Britani janë ankuar se raporti mbi evoluimin është nxjerrë pa zhurmë dhe fshehurazi nga qeveria për të shmangur publicitetin në mënyrë që të mos minohej besimi i publikut në lehtësimin e kufizimeve të pandemisë dhe hapjen e kufijve të vendit për vizitorët nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Ky raport duhet të kishte shkaktuar valë tronditëse në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar,” u tha gazetarëve Philippa Ëhitford, një ligjvënëse nacionaliste skoceze dhe nënkryetare e një grupi parlamentar të të gjitha partive mbi pandeminë”.Rekomandimet dhe komentet e bëra nga SAGE sjellin realitetin e qartë – se ne ende nuk e kemi “mposhtur” këtë virus, “shtoi Ëhitford, një kirurge me profesion.

Në raport, shkencëtarët thonë se mundësia që një variant i ri t’u rezistojë vaksinave aktuale, është “pothuajse e sigurt” që do të ndodhë. Frika më e madhe e grupit SAGE janë ndryshimet e vogla në genet e virusit që mund të çojnë në ndryshime në proteinat e tij sipërfaqësore. Shumica e vaksinave që përdoren tani kanë si objektiv proteinat sipërfaqësore të koronavirusit. Shkencëtarët gjithashtu shqetësohen për mundësinë e rikombinimit të varianteve për t’u bërë më ngjitëse.

Raporti ka tërhequr vëmendjen e qeverive në Evropë, dhe zyrtarët në Berlin thonë se ai luajti rol në vendimin e shpallur të hënën nga qeveria gjermane për të ofruar vaksina përforcuese tek njerëzit që konsiderohen të rrezikuar nga COVID-19, sëmundja që koronavirusi mund të shkaktojë.

Klan News