Të shumta kanë qenë reagimet nga liderët kryesorë botërorë pas masakrës në “Shëtitoren e Anglezëve”, në Nisë, ku marrëzia e Mohamed Lauezh Bulel shkaktoi të paktën 84 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, dënoi rëndë aktin dhe e quajti “një sulm të tmerrshëm terrorist”. Obama shprehu ngushëllimet familjarëve të viktimave dhe theksoi se populli amerikan ndodhet pranë atij francez në këtë moment të vështirë.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, shprehu keqardhjen për sulmin me kamion në Nisë dhe tha se është vërtet një “paradoks tragjik”,që njerëzit vriten teksa festojnë “lirinë, barazinë dhe vllazërinë”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se: “Gjermania është përkrah Francës në luftën kundër terrorizmit dhe jam e sigurt se në fund do e fitojmë këtë luftë”.

E sapo zgjedhur në krye të qeverisë kryeministrja britanike, Tereza Mei, u shpreh e shokuar dhe e mërzitur nga atentati i tmerrshëm i Nisës. “Duhen shumëfishuar përpjekjet tona për të mundur këta vrasës brutal”, tha ajo. Edhe Papa Françesku shprehu trishtimin e thellë për sulmin dhe tha se ndihet shpirtërisht pranë popullit francez./ TV KLAN