Situata në bregdetin jonain duket më e qetësuar nga ditë më parë. Deti është pastruar, njolla të vogla të mbeturinave të hidrokarbureve janë spostuar në pjesën e rërës. Ky lajm i mirë për 50 km pjesë të ndotur konfirmohet nga një prej ekspertëve ambientalistë Xhemal Mato, i cili gjendet në zonat e prekura. Ndryshimi i motit, fryrja e erës ka larguar, sipas tij, ndotjen nga bregu i detit. Ndërsa ministri Ruka e ka paraqitur situatën e hedhjes së mbeturinave të huaja në det më problematike nga sa mendohej. E në ndryshim nga ajo çka është shprehur ministri Ruka, për Ministrinë e Rendit situata nuk është alarmante. Struktura policore që deklaron mbrojtjen e kufijve pret të jepet përfundimi i analizave, ekspertiza e mjedisit, më pas mund të nisin hetimet. Grupe ekspertësh të shëndetësisë nga Ministria e Mjedisit gjenden në zona e ndotura, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë pranon se do të jetë në pritje të rezultateve të analizave.

“Unë jam informuar nga specialistët, që ata kanë bërë inspektimin nga Himara, zonë e Himarës, plazhin e Qeparoit, livadh Jalë, Dhërmi dhe Palasë dhe po vazhdojmë punën. Në të gjitha këto plazhe ato kanë marrë kampionaturat e domosdoshme, mesatarisht 2 deri në 3 kampionatura të ujit dhe të sipërfaqes së rërës, ku është vënë re fenomeni. Siç më informojnë, rezulton që bregu ka njolla nafte apo solari kryesisht në breg dhe rreth 1 m nga vija e bregut pra nga vija e ujit.”

Ka dhe një reagim qytetar që vjen nga mosmbrojtja e kufijve.

“ Nuk mund që një sasi kaq e madhe nafte dhe një tragjedi kaq e madhe të ndodhë dhe ne akoma nuk kemi një autor, nuk dimë pse ka ndodhur dhe për më shumë nuk kemi pasur asnjë masë që të parandalonte një gjë të tillë, ndodhinë. Mendoj se ky është apeli më i madh që mund të marrim, duhet të fillojë qeveria shqiptare, por dhe të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të fillojnë të mendojnë se si dhe çfarë duhet të bëjmë që të parandalojmë që gjëra të tilla të ndodhin rishtaz.”

Faji deri më tani nuk i është vënë askujt. Kemi bashkëpunuar me “guardian” për të ndaluar trafikun në det, por kurrë s’kemi menduar për ndotjen e tij. Dhunimi i bregdetit jonian është i përsëritur. Dy vite më parë i merrej rëra, tani hidhen mbetje të cilat po të hidheshin në vendin fqinj do të paguhej gjobë. Këtu nuk ka masë ndëshkimore, bregdeti ynë adhurohet nga fqinjët, por nuk mbrohet nga ne. /tvklan.al