Ekspertët: Rrezikohet një prej krizave më të rënda ekonomike

Prania e dioksidit të karbonit parashikohet të reduktohet me 8% deri në fund të këtij viti. Bëhet fjalë për rekordin më të ulët prej vitit 2009, që i parapriu krizës ekonomike globale.

Parashikimi bëhet nga ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, të cilët kanë analizuar të dhënat e matjeve të ndotjes së ajrit në metropole të ndryshme, ku po aplikohen masat bllokuese për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në studimin e saj, kjo agjenci paralajmëron po ashtu se nevoja për karburante do të bjerë me 6% në të njëjtën periudhë. Bëhet fjalë për rënien më të madhe në 70 vite, në një nivel që nuk është regjistruar kurrë më parë.

Ndikimi në ekonomi pritet të jetë tepër negativ, saqë dëmet mund të jenë shumë herë më të mëdha sesa ato që shkaktohen tek njerëzit nga ajri i ndotur.

Ekspertët e FMN-së kanë paralajmëruar që ekonomia botërore do të bjerë me 3% këtë vit, në nivelet e depresionit të madh që i parapriu Luftës së Dytë botërore.

Por në një tjetër studim, të Qendrës studimore për Energjinë dhe Ajrin e Pastër në Helsinki, reduktimi i ndotjes këtë vit u ka shpëtuar jetën 11 mijë njerëzve në Europë.

Në kushtet e zakonshme të pranisë së gazrave të dëmshëm në atmosferë nëpër qytetet industriale të kontinentit, kaq persona do të kishin ndërruar jetë para kohe, nga sëmundjet në rrugët e frymëmarrjes që shkaktohen nga ndotja e ajrit.

Tv Klan