Pas 3 muajsh qytetarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës do të flasin përmes linjave të telefonisë celulare me tarifa të reduktuara. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare ka miratuar vendimin për të nisur hartimin e rregulloreve që do të heqin tarifat “Roaming” mes dy vendeve.

Në 15 Qershor Kosova e Shqipëria do të paguajnë më pak për thirrjet të telefonisë së lëvizshme që qytetarët do të kenë drejt dy shteteve, ndërsa gradualisht, në harkun kohor të dy viteve “Roaming” mes dy vendeve nuk do të jetë në fuqi si tarifë dhe do të komunikohet me të njëjtat çmime që ka brenda vendit.

Të njëjtën procedurë është duke ndjekur edhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike në Kosovë.

Detyrimi për të dy vendet rrjedh nga marrëveshja e firmosur më 26 nëntor të vitit të shkuar për heqjen e çmimeve në shërbimet “Roaming”.

Po ashtu Shqipëria e Kosova janë në negociata për eliminimin e “Roaming” edhe me shtetet e tjera të rajonit: Serbinë, Maqedoninë dhe Bosnjë Hercegovinën dhe Malin e Zi, angazhim i marrë në korrik të 2017-ës në Samitin e Triestes.

Tv Klan