Së shpejti reformatorët demokratë do ti dërgojnë një letër kryetarit Berisha me kërkesat e qarta për të vendosur interesin e partisë dhe të vendit mbi atë personal. Ish kryetari Pollo ka deklaruar para gazetarëve raportin me kritikat e të djathëve europianë ndaj mungesës së demokracisë së brendshme në këtë parti.

” Mbledhjen e djeshme të komitetit drejtues në Londër është paraqitur raporti i komisionit verifikues që EDU dërgoi në Tiranë në fillim të shkurtit. Mbi bazën e këtij raporti që u pranua nga komiteti, u vendos të dërgohej një mision i dytë në Tiranë për të konstatuar zhvillimet e mëtejshme. Raporti i misionit të EDU-së vë në dukje se PD vuan nga mungesa e demokracisë së brendshme, se ajo sot karakterizohet nga mungesa e tolerancës dhe transparencës. Berisha ka dështuar në krijimin e imazhit të një udhëheqësi opozitar duke mos qënë i gatshëm të veprojë në kuadrin e institucioneve të ligjshme dhe duke qënë autoritar në parti. Misioni i EDU-së synonte të ndihmonte afrimin mes Berishës dhe grupimit të lëvizjes reformatore brenda Partisë Demokratike. Raporti i misioni konstaton se Berisha është kundër bashkimit të PD-së dhe i zgjidh problemet me përjashtimin nga partia. “

Ndërkohë sekretari demokrat për marrëdhëniet publike Arbnori shprehet se reformatorët janë vetëlarguar nga Partia Demokratike jo në momentin e duhur megjithatë dyert e kësaj partie janë të hapura dhe për ata.

” Dyert e Partisë Demokratike kanë qënë gjithmonë të hapura por unë ata i shoh çdo ditë e më rrallë për të mos thënë që ka muaj që nuk i shoh që të futen në dyert e Partisë Demokratike. Afrimi është gjithmonë diçka e hapur nëse ekziston dëshira e të dy palëve. Kushtet nuk i kemi vendosur ne, janë ata që dhanë dorëheqjen nga të gjitha postet dhe mua më vjen keq për veprimin e tyre. Tek reformatorët duhet të përmirësohen shumë gjëra dhe sidomos në një kohë kur elektorati po mblidhet rreth Partisë Demokratike ata nuk kanë gjetur kohën e përshtatshme për tu shkëputur.”/tvklan.al

Gazetar: Vladimir Lame