Hysaj: Lituania luan shpejt, duhet kujdes

Fitorja e Bjellorusinë nuk është harruar, por emocionet e asaj ndeshjeje nuk janë më në radhët e ekipit kombëtar që po bëhet gati të përballet me një kundërshtar delikat siç është Lituania. Në letër më të dobët se Shqipëria, por që ndaj tyre duhet treguar vëmendje e duhur. Trajneri Reja shqetësohet edhe për gjendjen fizike të futbollistëve kuqezi.

“Janë shumë të shpejtë, sidomos nga krahët. Mund të bëj 3, 4 ose edhe 5 ndërrime në krahasim me Bjellorusinë, sepse dua që skuadra të mos vuajë ngarkesën fizike. Lituania e humbi ndeshjen e parë dhe zakonisht pas një humbjeje vjen reagimi. Duhet të jemi të kujdesshëm. Cikalleshi ka pak probleme në këmbë. Duhet të shohim zgjedhjet në sulm. Në mbrojtje do të bëj pak ndryshime”.

Kundërshtari i radhës është analizuar dhe duket se futbollistët e kombëtares e dinë se kë do të kenë përballë. Sipas rregullores së UEFA-s, të gjithë futbollistët e kombëtares dhe stafi u janë nënshtruar tamponit për analizat anticovid. Pritet përgjigja paraditen e kësaj të hëne. Ndeshja do të luhet në orën 20:45 në “Air Albania”.

Tv Klan