Edy Reja kërkon fitoren ndaj Islandës

Këtë fundjavë luhen ndeshjet e radhës në të gjitha kampionatet, por trajneri i kombëtares Edy Reja ka shpejtuar të bëjë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e Shtatorit, atë kundër Francës dhe Islandës. Kundër Francës, skuadra kuqezi do të tentojë të bëjë më të mirën e mundshme, por sfida ndaj Islandës është më e rëndësishme pasi kombëtarja ishullore mund të konsiderohet rival direkt.

“Ne shkojmë për të vendosur në vështirësi Francën dhe duam të bëjmë paraqitje të mira. Ne mund të përsërisim paraqitjet e mira me Francën. Shpresoj të marrim,  dhe rezultat me kampionët e botës. E dimë se janë shumë më të fortë se ne, por duhet të bëjmë paraqitje të mirë. Duhet të zbresin në fushë lojtarët më të mirë fizikisht.”

Nëse Francën do të tentojnë ta vënë në vështirësi, Reja shprehet me zë të plotë se i duhet 3-pikëshi me Islandën.

“Duhet të dalim me fitore me Islandën dhe të përmirësohemi në renditje. Askush nuk e priste që Turqia të fitonte ndaj Francës, pse mos të marrim dhe ne pikë. Ndaj Islandës nuk duhet të gabojmë se i kemi kundërshtar direkt. Shqipëria ka bërë një ndeshje të mirë në çdo nivel. Ne jemi në fazë ndërtimi, kemi ndryshuar module dhe lojtarë. Mbetet për t’u parë se si do të përgjigjen lojtarët, pasi dëshira është e madhe”.

Për dy ndeshjet Reja ka në listë 25 lojtarë. Klaus Gjasula, mesfushor nga Paderborni në Gjermani është ftuar për herë të parë. Pasi ka qenë pjesë e kombëtares shpresa, Marash Kumbulla do të grumbullohet me kombëtaren a. Mbrojtësi debutoi në Serie A me Veronën.

Rikthehet Strakosha që vuante një dëmtim në shpatull, por do të mungojë Armando Sadiku, i cili gjithësesi është në listat që Reja ka nëse një prej sulmuesve të grumbulluar do të dëmtohet.

Arsyeja që ai nuk është planifikuar mes lojtarëve kryesorë është mungesa e minutave me Levanten në Spanjë dhe Luganon në Zvicër.

Tv Klan