Shifra të larta në Francë, Itali e Gjermani

Ashpërsimi i masave për frenimin e ritmeve të larta të infektimeve nëpër Europë ende nuk po jep rezultate. Franca shënoi mbi 30 mijë infektimesh ditore. Bëhet fjalë për shifrën më të lartë të arritur që prej nisjes së pandemisë, një ditë përpara hyrjes në fuqi të shtetrrethimit në 9 qytetet e mëdha të vendit përfshirë Parisin.

Rekorde ditore pavarësisht ashpërsimit të masave u shënuan edhe në Itali, Gjermani, Çeki e Poloni. Në dallim nga vala e parë, vatra e infeksioneve në Itali është zhvendosur në jug, me Napolin që numëron edhe shumicën dërrmuese të rasteve të reja. Në Gjermani u kufizuan oraret e qëndrimit hapur të bareve dhe restoranteve në zonat e prekura. Ndërsa në Çeki e Poloni janë mbyllur shkollat dhe palestrat.

Pranë rekordeve ishte edhe Rusia, ndërsa shtim të ritmeve të infektimeve pati edhe në Shtetet e Bashkuara e Indi ku janë shënuar mbi 60 mijë raste ditore.

Tv Klan