Rama: Mbështetës i PD; Demokratët: Foto me drejtues të PS

Kryeministri e ka dënuar  ngjarjen e ndodhur në zyrën elektorale të PD në Kavajë, ku ngeli i plagosur Bledar Okshtuni por sipas tij, ajo nuk ka ndodhur për motive politike e aq më shumë të jetë e lidhur me Partinë Socialiste.

Duke iu referuar deklaratave të autorit të ngjarjes Ndriçim Jonuzi, Rama thotë se përkundrazi ai ishte mbështetës i PD.

Por demokratët kanë publikuar një foto ku Jonuzi është nën shoqërinë e drejtuesve lokal dhe politik të PS në Kavajë, e që sipas tyre është provë që Jonuzi është njeriu i Edi Ramës.

“Edi Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar ende. Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim”.

Gjithesesi Kryeministri kërkon që fushata të mos tensionohet dhe i njeh meritën Lulzim Bashës se po bën një fushatë të qetë, edhe pse arsyet nuk i lidh me vendimmarrjen e kryedemokratit.

“Me thënë të drejtën Luli po bën fushatë të qetë se kështu i kanë thënë, do dalësh si nuse”.

Atë që e akuzon se po përpiqet të nxehë tonet e fushatës, është Presidenti Meta.

“Është Ilir Meta që çdo ditë vë fitila ngado dhe përdor gjithçka për ta destabilizuar fushatën sepse Ilir Meta e di shumë mirë se çfarë do të ndodhë më 25 Prill, Ilir Meta e di shumë mirë se votat në kuti për PS do të pikojnë njësoj si ky shi mbi kokat tona. Ilir Meta e di shumë mirë që aq sa ne sot mund të ndalonim shiun, aq mund të ndalë Ilir Meta fitoren e PS me një breshër votash nga veriu në jug në çdo kuti”. 

Për ngjarjen foli sërish Lulzim Basha. Në takimin elektoral të Kavajës e drejtoi gishtin e akuzës tek Edi Rama.

Sipas Partisë Demokratike, ngjarja kishte motive të pastra politike dhe autori i ngjarjes shoqërohej nga drejtori i Policisë Bashkiake të Kavajës.

Tv Klan