Republikanët amerikanë nisën votimet për përzgjedhjen e kandidatit të tyre për president. Në përballjen e parë, atë të shtetit të Ajovas, Mit Romnei ka dalë fitues mes 7 garuesve.  

Ish –guvernatori i Masaçusetsit rezultoi fitues me 8 vota më shumë ndaj rivalit të tij kryesor në këtë përballje, ish-senatorit të Pensilvanisë Rick Santorum. Ai mori 30.015 vota kundrejt 30.007 votave të Santorum.

Menjëherë pas rezultatit, Rumni ka bërë të qartë vizionin e tij për t’i rikthyer Shteteve të Bashkuara principet që e bënë këtë vend, burim shprese për botën.

“Unë nuk dua të veproj siç thotë presidenti, “të transformojnë rrënjësisht Amerikën”, çka mund t’a shndërronte atë në diçka të panjohur për ne. Unë dëshiroj t’i rikthej Amerikës principet që e bënë atë, shpresën e botës. “– është shprehur ai.

Ndërsa rivali i tij Rik Santorum, i përkrahur gjerësisht nga blloku kristian konservator, është shprehur i bindur se do të arrijë të jetë kandidati i republikanëve për zgjedhjet presidenciale, duke fituar në shtetet e tjera.

Rick Santorum, ish-senator i Pensilvanisë: “Njerëzit më kanë pyetur, se pse unë mendoja se do të fitoja në një garë ku kisha përballë një kandidat, me të cilin rezultati do te ishte mjaft i ngushtë, sepse eshte favorit për t’u zgjedhur. Më lejoni t’ju them se mes amerikanëve, fiton ai që ka ide të guximshme, një kontrast të fortë dhe që në planet e tij përfshin gjithkënd.”

Kongresisti Ron Paul është renditur i treti në këtë garë, i ndjekur nga Njut Gingriç e Mishel Bahman. Ndërsa guvernatori i Teksasit Rick Perri, lajmëroi tërheqjen nga gara pasi rezultatet e renditën atë në vendin e gjashtë. Sipas sondazheve, Mit Rumni është favorit edhe në përballjet e rradhës që në Nju Hempshajër dhe Florida.

Pas një fushate disa mujore, kandidatët republikanë tashmë përballen në votimet shtet pas shteti, ku deri në fund, mbështetësit partiakë do të përzgjedhin se cili do të jetë njeriu që do të sfidojë Obamën në zgjedhjet e nëntorit. Procesi i përzgjedhjes do të vazhdojë për disa muaj, duke kulminuar me Konventën Kombëtare të Republikanëve në gusht, kur kandidati do të emërohet zyrtarisht./tvklan.al